Tre muaj burg me kusht për drejtorin e Administratës në Komunën e Lipjanit

Autori:Gazeta Fjala

Fauz-Xhemajli-12.10.2017-620x275-1

Drejtori i Administratës në Komunën e Lipjanit, Fauz Xhemajli, është dënuar me tre muaj burgim me kusht për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse Xhemajli brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi paraprakisht i akuzuari Xhemajli dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Gjyqtari Valon Kurtaj, ka pranuar marrëveshjen e palëve rreth pranimit të fajësisë dhe caktimin e dënimit e ka bërë sipas kushteve të kësaj marrëveshjeje.

Prokurorja Habibe Salihu, deklaroi se mbetet pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuari Xhemajli, avokati Kadri Bicaj, tha se kjo marrëveshje ishte arritur me vullnetin e lirë të klientit të tij dhe pa ndikimin e askujt. Bicaj, i propozoi gjykatës që Xhemajlit t’i shqiptohet vërejtje gjyqësore, pasi që sipas tij, ai kishte pranuar fajësinë dhe ishte realizuar kompensimi i dëmit.

Më pas, gjykatësi Kurtaj, njoftoi të akuzuarin se aktgjykimi i formës së prerë do t’iu dorëzohet palëve pa të drejtë ankese, pasi të njëjtit kishin hequr dorë nga ankesa.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj Fauz Xhemajlit, të cilin e ngarkonte se si person zyrtar – drejtor i Administratës në Komunën e Lipjanit, gjatë vitit 2014, me qëllim të përfitimit pasuror për tjetrin nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Lipjanit.

Sipas prokurorisë, Xhemajli nuk e kishte zbatuar vendimin për pushim pa pagesë të datës 2 mars 2014 të Afrim Pacollit, dhe të njëjtit në periudhën kohore 25 shtator 2014 e deri më 31 dhjetor 2014, i kishte dhënë paga mujore, edhe pse gjatë asaj periudhe Pacolli kishte qenë në pushim pa pagesë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/tre-muaj-burg-me-kusht-per-drejtorin-e-administrates-ne-komunen-e-lipjanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala