Thirrje qeverisë për fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë

Autori:Gazeta Fjala

99969B47-1117-4A2B-A1E4-FFE30D511DD4_w1023_r1_s-650x358

Komuniteti i biznesit në Kosovë konsideron se fuqizimi i sektorit të prodhimtarisë duhet të jetë një ndër prioritet e Qeverisë së re në fushën e ekonomisë.

Produktet, “Made in Kosova”, thonë ata duhet të fuqizohen që të jenë konkurruese me produktet e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu, funksionalizimi i ekonomisë së tregut, përmirësimi i sundimit të ligjit, luftimi i ekonomisë joformale dhe luftës kundër korrupsionit, kompletimi i kornizës ligjore për politikat e reja fiskale, nga përfaqësues të bizneseve konsiderohet se do të ishin stimuluese për investimet e jashtme dhe të brendshme.

Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se ekonomia duhet të jetë prioritet i prioriteteve për qeverinë e re.

“Në Kosovë, me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim që e kemi, ka nevojë që prodhuesit vendorë të fuqizohen, të krijohen qendra të certifikimit të produkteve ushqimore, të cilat mund të eksportohen drejt vendeve të BE-së. Po ashtu, duhet të ngrihet edhe cilësia e produkteve, që të jenë në konkurrencë me kompanitë evropiane”, thotë Balija.

Në Kosovë, sektori më pak i zhvilluar është ai i prodhimit, derisa sipas të dhënave zyrtare aktiviteti më i preferuar mbetet tregtia. Sipas ekspertëve, tregtia, megjithatë, nuk mund të jetë sektor më i leverdishëm për zhvillimin ekonomik se sa prodhimtaria.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, kërkon nga institucionet e reja të Kosovës që të marrin hapa konkret në zhvillimin e sektorit të prodhimit.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se për të qenë konkurrentë me produktet e vendeve të rajonit dhe më gjerë, nevojitet një ambient më i favorshëm biznesor.

“Ajo çka ne presim nga qeveria e re është zotimi i saj në fushatën parazgjedhore se do të merret me zhvillimin ekonomik. Neve si prodhues na intereson që pakoja fiskale ‘2’, ashtu siç është marrë një vendim nga Qeveria e kaluar, t’u përmbahet afateve kohore të cilat janë paraparë”.

“Ne presim që deri në fund të këtij viti të zbatohen këto ndryshime që do të na lehtësonin bërjen e biznesit dhe do të ishte mundësi e mirë që produktet tona të jenë konkurrente me produktet nga rajoni dhe BE-së”, thotë Palushi.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e re të demonstrojë “dinamikë të shtuar në zbatimin e reformave të iniciuara”.

Rritjet ekonomike prej jo më shumë se 3.5 për qind që Kosova ka pasur përgjatë viteve — ndonëse ishin konsideruar të jenë më të lartat në rajon — nga analistët ekonomikë shihen si të pamjaftueshme për t’i adresuar problemet thelbësore që ka Kosova, siç janë papunësia dhe varfëria.

Në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë, me 1.82 euro në ditë dhe 5.2 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme me 1.30 euro për të rritur në ditë.

Niveli i papunësisë ndërkaq arrin deri në 28.7 për qind.

Për të zbutur këto shifra të papunësisë dhe varfërisë, zoti Balija thotë se duhet tërhequr investimet e huaja, të cilat gjatë viteve të fundit kanë shënuar rënie.

“Në sferën ekonomike, investimet e huaja direkte në Kosovë duhet të rriten dhe kjo bëhet vetëm duke diskutuar me investitorët aktualë, të cilët e dijnë mirë se çka nevojitet, se cilat janë barrierat dhe faktorët nxitës, të cilat ata do të preferonin t’i kenë në dispozicion, në mënyrë që të zhvendosin prodhimin e tyre prej vendeve të BE-së apo rajonit në Kosovë dhe ta shohin Kosovën si një nga mundësitë reale, me avantazh konkurrues”, thotë Balija.

Investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar patën shënuar rënie për rreth 100 milionë eurosh, në krahasim me vitin 2015.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet ndërkombëtare të pranuara vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur në 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur investimet e huaja ishin 309.8 milionë euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/thirrje-qeverise-per-fuqizimin-e-sektorit-te-prodhimtarise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala