Themelohet Agjencia për Tatime dhe Dogana të Kosovës (Dokument)

Autori:Zekirja Shabani

buxheti

Agjencia për Tatime dhe Dogana të Kosovës, do të quhet institucioni i ri në të cilin do të shkrihen Doganat dhe Administrata Tatimore.

Ministri, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se, Ministria e Financave po finalizon ligjin per themelimin e kësaj agjencie, e cila do të jetë përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave të buxhetit, shkruan Gazeta Fjala.

“Bashkimi i këtyre dy institucioneve në një agjenci të vetme është reforma më e madhe në administratën publike për shumë vite. Ky është vetëm hapi i parë drejt kalimit të mbledhjes së TVSH-së brenda vendit, e jo në kufi, që është pjesë e Programit Qeverisës”, ka thënë Hoti./Gazeta Fjala/

vendimi per doganen dhe ATK

Ky është zotimi i ministrit Avdullah Hoti për themelimin e Agjencisë për Tatime dhe Doganë të Kosovës (ATDK)

Të nderuar zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Doganës së Kosovës,

Agjencia për Tatime dhe Doganë e Kosovës po themelohet bazuar në Programin Qeverisës 2015-18. ATDK do të jetë një agjenci moderne, me besueshmëri të lartë dhe e paanshme, që do të mbrojë interesat financiare të Republikës së Kosovës, do të sigurojë efikasitet dhe drejtësi për qytetarë dhe biznese gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre tatimore ndaj shtetit të Kosovës.

Themelimi i ATDK-së është hapi i parë drejt mbledhjes së TVSH-së brenda vendit, duke lehtësuar barrën e bizneseve dhe nxitur rritjen ekonomike. Transformimi i Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës në ATDK është reformë përmbajtjesore që do të realizohet përgjatë një periudhe afatmesme. Kjo reformë kërkon zyrtarë të dedikuar dhe të trajnuar mirë.

Prandaj, gjatë themelimit të ATDK-së, Ministri i Financave zotohet se:
• Gjatë këtij procesi, asnjë zyrtari nuk do t’i rrezikohet vendi i punës;
• Për aq sa është e mundur, do të përmirësohet pozita materiale e zyrtarëve të ATDK-së;
• Nuk do të ketë ulje të pagave për asnjë zyrtar si rezultat i harmonizimit të strukturës së gradave;
• Të gjitha emërimet dhe gradimet do të bazohen në ligj dhe performancë; dhe
• Menaxhmenti i ATDK-së do të ketë autonomi të plotë të bazuar në ligjin për ATDK, i cili do të përgatitet bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Me respekt,

Avdullah Hoti
Ministër i Financave

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/themelohet-agjencia-per-tatime-dhe-dogana-te-kosoves-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala