Thaçi: Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë ndaljen e prodhimit, kanë pakënaqësi me Ligjin e Pagave

Autori:Gazeta Fjala

53892580_524866414705102_7449281786028228608_n-852x460

Sindikata e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk është takuar me asnjë deputet të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar rreth Ligjit për Paga. Ky ligj, si i tillë, nuk e rregullon si duhet pagën e këtyre punëtorëve, andaj edhe hyrja në fuqi e tij, do të sjellë pasoja për energjinë në Kosovë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, thotë se Ligji i Pagave i miratuar në Kuvendin e Kosovës, i dëmton punëtorët e KEK-ut. Sipas tij, të ndryshme kanë qenë deklaratat në Kuvend me atë që është e shkruar në ligj.

“Ligji i Pagave aktual i cili është miratuar në Kuvend, realisht i dëmton punëtorët e KEK-ut ma aq sa e kom pa ligjin të shkruar në letër. Diçka tjetër është fol në Kuvend e diçka tjetër është e shkruar në Ligj. Nga menaxhmenti i KEK-ut nuk është kontaktuar asnjë prej deputetëve apo prej parlamentarëve që me diskutuar ose me i pa vështirësi të cilat ne i kemi. Me sa unë kam informata as sindikata nuk është kontaktuar ndonjëherë më parë”, tha Thaçi.

Kundrejt këtyre pakënaqësive, Thaçi pohon se punëtorët kanë paralajmëruar edhe greva deri në ndaljen e prodhimit. Sipas tij, ata nuk duhet të krahasohen me shërbyesit civil, pasi puna e tyre është tejet e vështirë.

“Nuk e besoj që punëtorët e KEK-ut duhet të krahasohen me shërbyesit civil, ata nuk janë shërbyes civil ata kanë një punë të vështirë, punojnë me  ndërrime në kushte të rënda. Duke e parë që po zhvillohet tregu energjetike, apo futen kompani të reja në treg në të ardhmen do të jetë shumë e vështirë me qet ligj aktual neve t’i mbajmë kuadrot apo ekspertët në punë. Kem paralajmërime prej sindikatës që nëse ligji futet në fuqi ata kanë protesta deri ta ndalja e prodhimit, për këtë janë njoftuar edhe institucionet qeveritare”, pohoi drejtori Menaxhues i KEK-ut për Ekonomia Online.

Pavarësisht këtyre sfidave që Thaçi thotë t’i kenë punëtorët e kësaj koorporate, ai pohon për herë të parë asnjë bllok i Kosovës B, nuk ka pasur rënie, çka ka bërë që të kalohet një dimër pa vështirësi.

“Historikisht nuk ka ndodh ndonjëherë deri më sot në KEK që një bllok i Kosovës B siç është blloku B2 të mos ketë ndalje që nga 24 shtatori i vitit të kaluar, pra që nga kjo datë nuk ka pas asnjë rënie të këtij blloku”.

“Po ashtu edhe blloku B1 i Kosovës B që nga 13 dhjetori nuk ka pas asnjë rënie dhe kemi kaluar një dimër pa vështirësi. Kjo do të thotë që KEK-u ka kaluar  një vit me suksese dhe me një performancë jashtëzakonisht të mirë”, bëri të ditur Thaçi.

Shpenzimet operative janë ulur deri në 9 për qind. Madje sipas Thaçit, edhe fitimi është rritur mbi 2 për qind për dallim me vitin e kaluar.

“Kemi arritur që shpenzimet operative t’i ulim deri në 9%, kemi arritur që investimet në shpenzime kapitale të shkojnë nga 10 milionë në 52 milionë. Kemi kaluar planin e prodhimit sipas bilancit energjetik mbi 8%. Kemi arritur që fitimin ta rrisim 2% mbi vitin e kaluar”.

“Deri më datën 15 prill e kemi këtë planë që e kemi, dy blloqe në Kosovën A dhe dy në Kosovën B, konform bilancit energjetik. Në datën 15 dhjetor nalet blloku B2 i Kosovës B për shkak se shkon në remont të paraparë vjetor për 4 muaj”, tha Thaçi.

Energjia solare do të jetë fokus i menaxhmetit të KEK-ut. Aktualisht sipas Thaçit, janë hapur procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kontraktonit për studimin e fizibilitetit të kësaj energjie, ku do të prodhohet fillimisht në 80 hektarë.

“Aktualisht i kemi hapur procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kontraktorit për studimin e fizibilitetit të prodhimit të kësaj energjie. Parashihet që në kodrat e hirit siç i themi ne miniera aty ku është nxjerrë thëngjilli janë fillimisht 80 hektarë të fillohet me prodhimin e kësaj energjie për arsyeje se KEK është ndërmarrje publike, infrastruktura është më e mira në Kosovë”, tha Thaçi.

Projekt tjetër për përmasimin e ambientit është edhe ndërrimi i filtrave, i cili është një grant i Bashkimit Evropian ndërsa pjesa teknike do t’i takojë KEK-ut.

“Është një grand nga BE për filtrat edhe pjesët e denoksid karbonit, ndërsa pjesët teknike do të investohen nga KEK-u në mënyrë që ët shfrytëzohet koha e ndaljes së blloqeve që në atë kohë t’i kryejmë edhe ne punët teknike në mënyrë që t’i rritet jetëgjatësia Kosovës B edhe për 25 vitet e ardhshme”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se Miniera e Re e obligon KEK-un që të investojë 250-300 milionë euro. Për këtë vlerë, ai tha për Ekonomia Online, se vështirë që do të mund ta përballojë KEK-u. Sipas tij, nëse nuk ndihmon Qeveria ose Zyra e Rregullatorit, mund të rritet çmimi i energjisë elektrike për pjesën e humbjeve.

“Miniera e re fillon sivjet faza e parë e cila fillon me 50-60 milionë euro që fillon me blerjen e ekskavatorëve te rinj dhe në 5 vitet e ardhme KEK është i obliguar që të investojmë 250 deri ne 300 milionë euro. Për arsyeje se kjo minierë do të furnizojë termocentralet ekzistuese por edhe termocentralin Kosova e Re”.

“I gjithë ky investim që KEK ka paraparë të bëjë edhe e pamundur të bëhet nga mjetet e KEK, apo me çmimin aktual të energjisë elektrike që e kemi sot, prandaj KEK ka bërë kërkesë nga Qeveria edhe zyra e rregullatorit ose të na ndihmojë në financimin e projekteve ose të në jap mundësi që çmimi i energjisë elektrike të rritet për pjesën e humbjeve, me të cilën kosto do të kishim mundësi ne të mbulojmë të gjitha këto investime, në të kundërtën e kemi të pamundur që të realizojmë këto projekte”.

“Nuk e besoj qe do të ketë ngritje të çmimit për arsyeje se KEK ka kërkuar vetëm për pjesën e humbjeve, pjesa e shërbimit universal e cila është për amvisëri ne kemi kërkuar të mbetet e pa prekshme dhe e marrim atë obligim”, tha Thaçi.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, bëri të ditur se do të jenë në plan edhe zhvillimi i murit të gjelbër. Sipas tij, do të mbillen drunj nga termocentrali Kosova A e deri te zona e minierave.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/thaci-punetoret-e-kek-ut-paralajmerojne-ndaljen-e-prodhimit-kane-pakenaqesi-me-ligjin-e-pagave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala