Thaçi i kërkon kreut të KE’së përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE

Autori:Gazeta Fjala

thaci - tusk

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po udhëheq një delegacion të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka takuar sot kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i vendit, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, diskutoi me Tuskun për rrugëtimin evropian të Kosovës dhe e falënderoi për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.

Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj evropiane.

“Kemi bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt familjes së madhe evropiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet me veprime konkrete. Është jetike për shtetin tonë dhe mbarë rajonin që BE-ja të mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, sonte do të priten nga çifti presidencial Trump, bën të ditur Presidenca.

Gjatë vizitës pesëditore në Nju Jork, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federica Mogherini.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/thaci-i-kerkon-kreut-te-kese-pershpejtimin-e-procesit-te-integrimit-te-kosoves-ne-be/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala