Tenderi qesharak i “Bifurkacionit” (Dokument)

Autori:Gazeta Fjala

bifurkacioni

Dallaveret me tender në Kosovë, autoritet kontraktuese i bëjnë zakonisht me specifikat teknike të tenderit duke ua përshtatur kompanive të preferuara.

Por një ndërmarrje publike në Kosovë ka shkuar edhe më tej se kaq.

Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni” në një tender të sajin për blerjen e tri veturave në specifikat e tenderit ka kërkuar në mënyrë milimetrike për llojin e veturës, vendin e prodhimit, e deri edhe të vëllimi dhe fuqia e motorit.

Me Ligjin për Prokurimin Publike kërkesa të tilla kufizuese diskriminojnë prodhues të caktuar në treg, pasi e lënë të hapur mundësinë të favorizohen kompani të caktuara pjesëmarrëse në tender.

Për tenderin e “çuditshëm” të “Bifurkacionit” ka reaguar edhe Agjencia Anti-Korrupsion, e cila i ka kërkuar autoritetit kontraktues anulimin e tij.

“Automjeti duhet të jetë i prodhuar në Bashkimin Evropian, vëllimi i motorit të jetë 1550 cm3 – 1600 cm3, shpenzimet e karburantit urban max. 5.5 litra, extra urban max. 4.5 litra si dhe të kombinuara max. 5.0 litra/100 km. Autoriteti kontraktues gjithashtu ka kërkuar furnizimin edhe me 1 veturë për udhëtar – Limuzinë ku ka përshkruar specifikimet teknike si në vijim: automjeti duhet të jetë i prodhuar në Bashkimin Evropian, vëllimi i motorit të jetë 1550 cm3 – 1600 cm3, fuqia e motorit 80 Kë-90 Kë, si dhe shpenzimet e kombinuara të karburantit max: 4.5 litra/100 km”, kanë qenë specifikat e tenderit për ketë tender.

Agjencia Anti-Korrupsion në raportin e saj e cilësoi si shkelje të rëndë këtë veprim të “Bifurkacionit”.

“Kërkesa këto për të cilat konsiderojmë se janë kufizuese dhe diskriminojnë prodhues të caktuar në treg”, thuhet në raportin e anti-korrupsionit.

Antikorrupsioni i rekomandon autoritetit kontraktues që të këtë kujdes dhe ti përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të mos jenë me vlera fikse, por të caktohet minimumi i kërkesave teknike dhe që të jenë të hapura për të gjithë operatorët.

“Autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomik apo prodhues”. /Gazeta Fjala/

bifurkacioni

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/tenderi-qesharak-i-bifurkacionit-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala