Tendencat e Qeverisë për ta kompletuar kundërligjshëm bordin e ZRRE-së

Autori:Gazeta Fjala

ZRRE

Zyra e Rregullatorit për Energji që nga muaji maj i këtij viti ka mbetur pa bord funksional. Nga pesë anëtarë sa duhet t’i ketë konform ligjit, aktualisht i ka vetëm dy. Ata janë Arsim Janova e Besim Sefiaj. I pari është pak më shef se tjetri, pasi në mungesë të kryesuesit të Bordit, ai është edhe ushtrues detyre në këtë pozitë, shkruan AktivPress.

Duke e pas parasysh këtë gjendje, Qeveria ka ndërmarrë veprime për ta kompletuar bordin e këtij rregullatori të pavarur me anëtarë të rinj, por mënyra se si ka zgjedhur ta bëjë këtë, po del jo krejtësisht e mbështetur në ligjin në fuqi. Ndonëse duhet plotësuar tri vende, Qeveria, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka zgjedhur që të shpallë konkurs vetëm për dy vende, ndërsa një emër është lënë që ta procedoj drejtpërdrejt Qeveria në Kuvend, për riemërim.

Një nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën se bëhet fjalë për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së.

Siç mësohet, Qeveria ka propozuar që Krenar Bujupi, të cilit i ka skaduar mandati më 15 maj, të riemërohet si kryesues i Bordit. Mirëpo, ligji parasheh të tjera procedura për mënyrën e zgjedhjes së kryesuesit të Bordit të ZRrE-së.

Ligji e njeh të drejtën që anëtarët aktual të mund të riemërohen edhe në një mandat, por i njëjti ligj nuk ua mohon të drejtën kandidatëve tjerë për të konkurruar në të njëjtën pozitë.

Praktikisht, anëtarëve që u ka përfunduar mandati në ZRrE e që synojnë ta fitojnë edhe një mandat të ri, u duhet t’i nënshtrohen procesit të përzgjedhjes, duke filluar nga konkursi e deri në momentin e votimit në Kuvend, shkruan AktivPress.

Specifikisht në ligj thuhet: “Mandati i secilit anëtar të Bordit është pesëvjeçar, me mundësi emërimi edhe për një mandat  tjetër në vazhdim. Mandati i secilit anëtar të Bordit fillon nga data e emërimit nga Kuvendi i Republikës se Kosovës. Data e përfundimit të mandatit të anëtarëve të Bordit nuk mund të jetë e njëjtë për të gjithë anëtarët e tij”.

Në ligj janë të sqaruara edhe kriteret që duhet plotësuar  kryesuesi i Bordit të ZRrE-së. “Kryesuesi i Bordit, përveç që duhet t’i ketë së paku dhjetë (10) vjet përvojë pune në sektorin e energjisë, prej tyre pesë vjet duhet t’i ketë përvojë në menaxhim në fushën e energjisë”, thuhet shprehimisht në ligj.

Ky ligj i cili ka hyrë në fuqi me 30.07.2016, e që për herë të parë aplikohet tani, parasheh që për secilin vend të lirë në Bord të ZRrE-së, pa dallim, MZHE duhet të hap konkurs gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit të anëtarit të Bordit.

Proceduralisht, duhet që Qeveria t’ia propozoj Kuvendit nga dy kandidatë për secilin vend të lirë. Në rastin konkret- gjashtë.

Në të vërtet, Bujupi nuk ka qenë i zgjedhur nga Kuvendi si kryesues i Bordit por vetëm si anëtar. Ai është bërë u.d i kryesuesit, tek atëherë kur i ka përfunduar mandati Enver Halimit, njëjtë siç është bërë tash Janova, pas përfundimit të mandatit të tij.

Qeveria ka provuar edhe më herët, në kohën e Isa Mustafës, në mënyrë të njëjtë që ta kompletoj Bordin e ZRrE-së, mirëpo përzgjedhja e anëtarëve të rinj ishte pezulluar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.

Edhe asokohe, Ministria e Zhvillimit Ekonomik që drejtohej nga shefi i tashëm i kabinetit të Kadri Veseli, Blerand Stavileci, kishte propozuar që Bujupi vetëm të riemërohej.

“MZHE në afatin e paraparë, ka dërguar në Qeveri propozim-vendimin për rend dite të mbledhjes së Qeverisë, për riemërimin e z. Krenar Bujupi si anëtar/kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Ky propozim-vendim mbetet të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet propozimi për riemërim në Kuvend, pasi që Kuvendi është organi që emëron anëtarët e ZRRE sipas nenit 5 të Ligjit të Rregullatorit të Energjisë”, ka qenë përgjigja që MZhE i kishte dhënë Gazetës JnK, asokohe.

Në mungesë të Bordit të ZRrE-së nuk mund të merren vendime në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm për shtetin  në fushën e energjetikës.

Së voni, as vendimi i cili i detyronte qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit, nuk po pezullohet pavarësisht se kështu ka vendosur Gjykata e Apelit./AktivPress

(Dy anëtarët e mbetur në Bordin e ZRrE-së)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/tendencat-e-qeverise-per-ta-kompletuar-kunderligjshem-bordin-e-zrre-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala