“Të gjithëdijshmit”

Autori:Menderes Ibra

656X37337230menderes_ibra

Parimi i vjetër i Sokratit, “Di, që s’di asgjë” duket se nga disa po transformohet në të kundërtën e tij: “Ska asgjë, që s’di”. Këta të fundit nuk kanë se si të quhen ndryshe veç se të gjithëdijshëm, ose thënë më saktë të gjithëdijshmit e vetëquajtur. Pretenca e njohurisë së tyre është gjithëpërfshirëse, nga njëra sferë e dijes në tjetrën, e nga njëri profesion në tjetrin. Për ta nuk ka kufizime të ekspertizës, një qast janë ‘ekspertë’ të marrdhënieve ndërkombëtare, e një qast më vonë  për alienët, e pak më vonë edhe për shumimin e lepujve, e kështu me rradhë. E në kohën e revolucionit informatik, kur dija zgjerohet në mënyrë eksponeciale pafundësisht shpejtë, globalisht duke u dyfishuar pothuajse çdo tri vite, kjo është jo vetëm e pamundur por edhe anakronike.

Të “gjithëdijshmit” e tillë sot hasen gjithandej në shoqëri, në debate, rrjete sociale e në media (si formues të opinionit publik) nga ku pamshirshëm, e pashterrshëm e furnizojnë publikun me “margaritarët” e tyre, shpeshherë edhe me agresivitet e duke u hakërryer, duke mos e peshuar fjalën, dhe me gjuhën më të shpejtë se mendjen. Ata mund të flasin gjithëçka, por kurrë të thonë për diçka ‘nuk e di’. Nuk pyesin për dëmet e pasojat që shkaktojnë, për mjegullën e konfuzionin që përhapin sepse e llogarisin veten të pagabuar.

Si përpiqen që të ‘shesin gjithëdijshmërinë’, si operojnë këta tipa e çka i shtyn kësaj rruge? Cilat janë dëmet që shkaktojnë në shoqëri? Dëshira për t’u dukur e përligjur statusin e tyre shoqëror, përfitimet e ndryshme por edhe kompleksi i inferioritetit mbase janë demonët kryesorë që i kanë vënë përpara duke i shtyrë me vrap tërë gulçimë nga gabimi në gabim e nga shkarja në shkarje.

Flasin shumë, gjithëkund, u pyetën apo s’u pyetën, me fjalor jo variabil, që fillon e përfundon zakonisht thuajse njëjtë: Unë, unë e di, unë e kam parë moti,  e kam thënë unë, a të pata thënë unë etj!  Për të tillët thuhet: ”Atyre nuk iu mungon fuqia e fjalëve por fuqia e bisedës”! Dhe ndërdija megjithatë shpesh ua zbulon të palarat, veçanërisht kur  thuajse pas çdo të dytës fjali thonë tërë pompë: Ju flas me përgjegjësi dhe kompetencë të plotë, duke zbuluar kështu pavetëdijshëm pikërisht ato që iu mungojnë më së shumti.

Të ‘gjithëdijshmit’ paraqiten llojllojshëm e duke përdorur strategji të ndryshme, por gjithnjë duke vënë veten në plan të parë, duke pretenduar se janë ekspertë për çdo gjë, e duke nënçmuar të tjerët. Nganjëherë kur rrezikohen të demaskohen i sheh  fodull, hijerëndë  e mospërfillës. Herë herë shpërfaqin hapur hipokrizinë e tyre, kur për gjërat që si kuptojnë fare duke u gajasur thonë : Dihen këto, gjëra të njohura. Ndonjëherë kur zihen ngushtë dhe duhet patjetër të pyesin të tjerët bëhen  dhelpërak e finok, e për të mos zbulojnë paditurinë, parashtrojnë pyetje, në formë të fjalisë pohore  pa pikëpyetje në fund, me qëllim që edhe  kur nuk marrin përgjigje  të mos vërehet nga të tjerët, e nëse marrin të tjerët prapë nuk do e kuptojnë si pytje, por vetëm si  shpjegim të bashkëbiseduesit.

Marifetetet e tilla bëhen akoma më dëmsjellëse kur të ‘gjithëdijshmit’ flasin publikisht si opinionistë, debatues e opinionbërës. Këta e kanë halë në sy ekspertizën e dikujt, kurse e urrejnë si djalli temjanin të mësuarit e studjuarit. ‘Të gjithë dijshmit’ pretendojnë të kenë gjithë këtë dije, madje edhe në kundërshtim me parimin e njohur empiric se të fituarit e dijes së përgjithshme kalon së pari nga dija e veçantë, e jo anasjelltas.

Mirëpo. sidoqoftë, në shoqëritë e zhvilluara e organizuara, përtej dijes së tillë sipërfaqësore të përgjithshme, e ku pashmangshëm hyn politika (lokale, shtetërore e ndërkombëtare), pastaj thashethemet dhe konspiracionet nga më të pabesueshmet, për të ‘gjithëdijshmit’ fillon një terren i minuar. Ai i dijes së vërtëtë e mirëfilltë dhe i ekspertizës profesionale, dhe  ku nuk ka hapsirë për improvizim e kamuflim, e as për përgjithësime e inflacion fjalësh pa përmbajtje.

Kur shpikësi më i madh amerikan Edisoni u pyet se çka mendon për teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit ai u përgjigj me çiltërsi: “Asgjë, sepse nuk e kuptoj fare”. Njeriu që kishte bërë qindra zbulime teknike e inxhinierike nuk ngurroi të jetë i sinqertë, e të mos pretendoj të gjithëdijshmin, edhe pse kishte kredencialet e padiskutueshme të ekspertizës në fushën e tij.

Të gjithëdijshmit nuk janë të tillë, dhe problemi  me ta në shoqëri është i natyrës morale, sepse duke pretenduar për të qenë diçka qka nuk janë e dëmtojnë shoqërinë dhe jipen vetëm pas interesit të tyre personal. Presidenti Obama në një rast e pat përmendur etikën e ekselencës, dhe e cila nënkupton që qëllimi i njeriut nuk duhet që të jetë për të bërë më të mirën vetëm për vetëveten, por  të bëj më të mirën edhe për popullin dhe shtetin vet.

Në një shoqëri të lirë, njeriu mbase edhe mund të maskohet si dëshiron, të aktrojë llojllojshëm e edhe të tentojë që të paraqitet i gjithëdijshëm, por shteti dhe shoqëria duhet të krijojnë mekanizmat efikas mbrojtës nga të tillët, fundja jo duke u shpallur luftë, sikurse Don Kishoti mullinjve të erës, por duke promovuar e fuqizuar të kundërtën e saj – dijen e vërtetë dhe sistemin e vlerave. Sepse zhvillimi i shoqërive të kohës moderne varet shumë nga krijimi dhe përdorimi i dijes. Eshtë dija e mirëfilltë mbështetur në njohjen dhe të kuptuarit e thellë të fenomeneve, e jo kurrsesi surrogatët (si puna e të ‘gjithëdijshmve’) ajo që siguron progresin. Të menqurit shohin në kohën e duhur atë që të tjerët e shohin shumë më vonë, apo madje kurrë. Ky ndryshim kohor i të vërejturit dhe kuptuarit të gjërave prej njerëzve, në fakt ilustron dhe shpejegon më së miri diferencën në mes popujve të zhvilluar dhe të pazhvilluar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/te-gjithedijshmit-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala