Të gjithë duan të ikin

Autori:Zekirja Shabani

azil

Shqipëria është duke u përballur me një valë të re emigracioni. Një emigracion që nuk ngjan me atë të fillimviteve ‘90 sepse nuk ka më në qendër diktaturën, por siç thonë edhe sociologët ka të bëjë me ikjen nga liria. Pasojat, jo vetëm për ekonominë, pritet të jenë tejet negative nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe nuk përmirësohet komunikimi.

Modelet e emigracionit nga Ballkani në Perëndim vitet e fundit dallojnë nga vendi në vend, por Shqipëria ka dhënë shembullin më dramatik.

Shumë pak shqiptarë u orvatën ta kapërcenin kufirin gjatë epokës komuniste. Jo vetëm sepse ishte tejet e rrezikshme, por se kjo çonte në përndjekjen politike të familjeve të tyre. Kur komunizmi ra dhe ekonomia u shemb plotësisht përbrenda, pothuajse të gjithë donin të largoheshin. Nuk kishte rrugëdalje tjetër. Njerëzve nuk iu kishte mbetur gjë.

Në atë kohë, Shqipëria ishte e mbyllur nga bota qysh prej 50 vitesh. Papritmas, vendi u përmbyt nga pamjet joshëse të bollëkut që shfaqeshin në televizorë. Sapo u lirua kufiri, shqiptarët gjetën rastin dhe ikën.

Përballë këtij emigrimi masiv, qeveria shqiptare s’mund të bënte shumë. Për rimbyllje të kufijve as që bëhej fjalë.

Por, sot, edhe pse historia po përsëritet, panorama është krejt tjetër. Nuk ka më gomone, e arratisje nga mali, por është e njëjta dëshirë për të ikur. Sociologët thonë se sot shqiptarët mund të quhen “emigrantë luksi”.

Statistikat tregojnë se Shqipëria ka normën më të lartë të emigracionit në botë referuar popullsisë: 3.3 emigrantë në 1,000 banorë ose më shumë se 1.25 milionë banorë (2014) referuar të dhënave të Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të Kombeve të Bashkuara.

Në gjysmën e parë të vitit 2015, mijëra shqiptarë kërkuan “azil ekonomik” në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Gjermani. Në të njëjtën kohë, numri i refugjatëve sirianë që përdorën Shqipërinë (apo edhe vende të tjera të Europës Juglindore) u 20-fishua. Në këto kushte, Shqipëria, si vend kandidat për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në, ka shtuar përpjekjet për të minimizuar flukset migratore. Por, pavarësisht politikave, qeveria nuk mund ta ndalë dot dëshirën e shqiptarëve për të braktisur vendin e tyre, në kërkim të një jete me më shumë standarde dhe këtë e tregojnë dhe shifrat rekord të dhëna nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për aplikimet për Lotarinë Amerikane për vitin 2014 që llogariten në rreth 200,000 persona.

Emigracioni për shqiptarët ka qenë një konstante e vazhdueshme historike. Ai i ka fillesat në shekullin XV, duke vazhduar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe më pas në fillimet e shekullit XX.
Mes viteve 1468 – 1506, pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, rreth 200 mijë shqiptarë (një e katërta e popullsisë së atëhershme) emigroi drejt brigjeve të Dalmacisë, në Greqi dhe Itali.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX komunitete të tëra me shqiptarë u zhvendosën në qendra, si: Athina, Bukureshti, Kajro, Stambolli e Sofja.
Janë pikërisht këto komunitete që vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm edhe në ditët e sotme në diasporën shqiptare.

Në fillimshekullin XX, shqiptarët nisën sërish të emigrojnë, por këtë herë drejt destinacioneve më të largëta, duke përfshirë këtu SHBA-në, Argjentinën dhe Australinë.

Në mesin e viteve ‘40, rreth 60 mijë shqiptarë (kryesisht nga jugu i vendit) emigruan drejt SHBA-së.
Gjatë periudhës së komunizmit (1945-1990), emigrimi ndërkombëtar u ndalua dhe u konsiderua si tradhti e lartë ndaj atdheut.

Rrëzimi i komunizmit dhe kolapsi ekonomik sollën një valë të re emigracioni.
Sot, numri i emigrantëve shqiptarë është më i lartë se numri i forcës aktive të punës që në 2014-n llogaritej në 1.07 milionë.

Azilkërkuesit ekonomikë

Në fillim të këtij viti pati rritje të konsiderueshme të numrit të “azilkërkuesve ekonomikë” që u larguan nga Shqipëria, kryesisht drejt Gjermanisë. Shumica ishin nga qytete si Vlora dhe Fieri, por edhe nga Kukësi dhe Tropoja. Në gjashtë muajt e parë të 2015-s, 22,209 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani, në krahasim me 3,913 aplikime që u regjistruan gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2014. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet e katërta sa i përket numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian gjatë tremujorit të parë të vitit 2015.

Azilkërkuesit shqiptarë, veçanërisht ata që iu drejtuan Gjermanisë, u inkurajuan nga sinjale se qeveria gjermane kishte rishikuar politikat e saj të migracionit dhe ishte në kërkim të krahut të huaj të punës. Shumë shqiptarë e quajtën veten “azilkërkues ekonomikë” dhe artikuluan si arsye emigrimi papunësinë dhe varfërinë. Motivet ekonomike nuk pranohen si të tilla sipas Konventës së Gjenevës të vitit 1951.

Vetëm pak ditë më parë, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë z. Hellmut Hoffmann, në seancën informuese në Komisionin për Politikën e Jashtme dha disa shifra, sipas të cilave në vitin 2013, 1,295 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani, në vitin 2014 numri arriti në 8,113 dhe në periudhën janar – shtator 2015 në 45,125. Kulmi arriti në muajin gusht me 8,306 azilkërkues.

“Sigurisht, këto janë shifra tronditëse. Shqiptarët ishin grupi i dytë pas sirianëve. Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna statistikore për shpërndarjen krahinore nga ku kanë ardhur azilkërkuesit, por ka të dhëna të hollësishme që tregojnë që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe ka pasur dhe njerëz të cilët kishin punë të mirë, për të cilën paguheshin relativisht mirë”, tha ambasadori gjerman.

Ai u përpoq të jepte për politikën shqiptare edhe këshilla: “Këshilla ime shumë modeste do të ishte të gërmoni pak më thellë në atë çfarë duhet të ndryshojë rrënjësisht për t’u dhënë njerëzve ndjesinë shumë të rëndësishme të shpresës, në vend të akuzave dhe pretendimeve politike partiake ndaj njëri-tjetrit. Ne e kemi absolutisht të qartë që shqiptarët nuk kërkojnë azil në Gjermani, ajo çfarë ata kërkojnë është vende pune. Për këtë arsye Gjermania, qeveria dhe Parlamenti kanë vendosur ta hapin tregun e punës gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo dhe për arsyen, sepse duam të ulim numrin e azilkërkuesve mashtrues sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që t’u japim hapësirë sirianëve, irakianëve, etj.”, tha z. Hoffman. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe punën e bërë nga autoritetet shqiptare në kuadër të politikave migratore./Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/te-gjithe-duan-te-ikin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala