Tahiri: Personat me aktakuza mos të përfshihen në listat zgjedhore

Autori:Gazeta Fjala

mghm

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kërkon nga të gjitha subjektet politike që t’i kontribuojnë luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit, përmes listave të pastra dhe me njerëz kompetent e me integritet të lartë.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

 Zgjedhjet janë mundësia më ideale për të dëshmuar përkushtimin e gjithsecilit për një qeverisje që përfaqëson denjësisht qytetarët e Republikës dhe për një frymë të re të integritetit gjatë ushtrimit të pushtetit politik.

 Si Ministër i Drejtësisë, jam angazhuar për reforma të thella brenda sistemit të drejtësisë dhe përgjatë këtyre dy viteve, kemi arritur të konsolidojmë një bazë të fuqishme ligjore që ka në qendër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 Këto reforma marrin fizionomi të plotë edhe nga vullneti politik i subjekteve që janë në garë për zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti, përmes gatishmërisë së tyre për të shmangur inkurajimin e kulturës abuzive.

 Një nga mënyrat më konkrete përmes së cilës duhet të dëshmohet vullneti politik për luftë kundër korrupsionit e abuzimit, është kandidimi i personave që nuk kanë rënë ndesh me ligjin në sferën që graviton nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin politik.

 Meqenëse afati për kandidimin e personave për deputet brenda subjekteve politike është në përmbyllje e sipër, si Ministër i Drejtësisë ftoj të gjitha subjektet politike që t’i kontribuojnë luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit, përmes listave të pastra dhe me njerëz kompetent e me integritet të lartë.

 Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit, përveç rrafshit praktik që është në përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit, duhet të marrë dimension të plotë edhe në rrafshin e vullnetit politik për të ndëshkuar ata që kanë rënë ndesh me ligjin dhe që privojnë sundimin efikas të tij.

 Një përkushtim i tillë, bën diferencë të madhe dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për mënyrën se si shoqëria jonë e sheh të ardhmen e saj dhe besimin në institucionet politike të vendit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/tahiri-personat-me-aktakuza-mos-te-perfshihen-ne-listat-zgjedhore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala