Tahiri: Bizneset vendore dhe të huaja, shumë shpejt do kenë një adresë unike të drejtësisë

Autori:Gazeta Fjala

abelard-tahiri-600x360

Nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë si udhëheqëse e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit është mbajtur sot Konferenca mbi Drejtësinë Komerciale, e cila në fokus kishte diskutimin për të bërit biznes dhe ndikimin që ka sundimi i ligjit në ambientin e biznesit në përgjithësi.

Punimet e Konferencës janë hapur nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Veseli, vlerësoi jashtëzakonisht lart përpjekjet për reformat në sektorin e sundimit të ligjit dhe veçmas ato që kanë për destinim një ambient të sigurt të ndërmarrësisë dhe të bërit biznes, për të cilën sistemi efikas i drejtësisë është parakusht themelor. Kryetari Veseli po ashtu theksoi mbështetjen e plotë për nismat legjislative që rrjedhin si rezultat i reformave dhe të cilat garantojnë një sistem efikas të drejtësisë që aplikohet në çështjet komerciale.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri shtroi argumentet themelore që rekomandojnë themelimin e një Gjykate Komerciale si adresë unike që do adresojë zbatimin e ligjit në fushën e të bërit biznes, si dhe synimet për avancimin e Profesioneve të Lira Ligjore në drejtim të efikasitetit në këtë fushë.

Kryesuesi i KGJK-së, Çoçaj vlerësoi se kjo perspektivë tashmë është duke marrë formë edhe nga kontributi i akterëve të tjerë dhe është një nga alternativat serioze për materializimin e të cilave do të angazhohet edhe sistemi gjyqësor.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve tjera, shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtar dhe komunitetit të biznesit, para të cilëve është prezantuar një dokument i politikave që identifikon sfidat kyçe në fushën e drejtësisë komerciale dhe ofron rekomandime të prekshme që përfundimisht do t’i japin drejtim zgjidhjes së sfidave me të cilat përballen bizneset në Republikën e Kosovës.

Nga përfundimet e konferencës kanë dalë rekomandime për themelimin e një adrese të vetme në gjyqësor për zgjidhjen e kontesteve komerciale për bizneset dhe investitorët e huaj. Një zgjidhje e prekshme për të cilën i gjithë spektri i biznesit e përkrahë është themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila do përfshijë kompetencat e Departamentit Ekonomik si dhe ato fiskale nën Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Themelimi i një gjykate të tillë është përpjekje për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për zgjidhjen e kontesteve nga bizneset dhe investitorët e huaj.

Përveç themelimit të Gjykatës Komerciale është diskutuar edhe avancimi dhe promovimi i ndërmjetësimit dhe arbitrazhit si mekanizma alternativë për zgjidhjen e kontesteve, harmonizimi i mëtutjeshëm i legjislacionit në fushën komerciale dhe koordinimi më efektiv ndër-institucional për të fuqizuar sektorin e sundimit të ligjit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/tahiri-bizneset-vendore-dhe-te-huaja-shume-shpejt-do-kene-nje-adrese-unike-te-drejtesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala