Syla: Greva e mjekëve nuk është organizuar nga Sindikata e Shëndetësisë

Autori:Gazeta Fjala

mjeke

Një grup i mjekëve në QKUK, tash e një kohë po kërcënojnë se nëse nuk paguhen sa gjyqtarët dhe prokurorët, ata do të hyjnë në grevë. Sipas tyre, paga që marrin është ofenduese, madje ata pohojnë se një shofer në Qeverinë Haradinaj, merr më shumë para sesa mjekët të cilët kanë përgjegjësi shumë më të madhe.

Rreth kësaj çështje “Gazeta Blic”, ka biseduar me drejtorin e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Sylën.

Ai ka theksuar se paralajmërimet e mjekëve që të hyjnë në grevë nuk janë te organizuar nga sindikata, dhe që dikush e ka marrë me shpejtësi ndryshimin e ligjit për paga.

“Këto greva nuk janë të organizuara prej sindikatës, janë të krijuara prej një kolegiumi pra prej kirurgeve, këto kërkesa po i bëjnë ata, ne jemi në procedurë me qeverinë dhe dikujt po i ngutet ligji për paga”, ka thënë Syla.

Ai ka sqaruar më tej se Sindikata është në bisedime me Qeverinë dhe shumë shpejtë pritet të finalizohet kjo çështje.

“Është një grup i shëndetësisë, i  qeverisë dhe i federatës i cili është duke punuar që të zgjidhet kjo çështje, një herë për një herë nuk ka nevojë për greve, sepse edhe po të ngritën të gjithë në këmbë nuk mundet të bëhet më shpejtë, sepse janë procedurat të cilat duhet ndjekur”, tha ai.

Syla tha se kryeministri Haradinaj ka premtuar që ky probleme do të zgjidhet brenda dy muajve, ai shpreson që do të ndodhë ashtu siç ka premtuar në të kundërtën do të reagojnë.

“Premtimi i kryeministrit është që brenda dy muajve të zgjidhet kjo çështje, të dërgohet drafti në qeveri të shqyrtohet dhe të finalizohet, ajo duhet të kaloj sepse MSA-ja ka dhënë urdhër, dhe federata po punon në hapa shtetërorë dhe ligjor këtu nuk jemi në krye veti, nëse atëherë nuk mbahen premtimet ne do të organizohemi dhe do të reagojmë”, ka përfunduar deklaratën Syla.

Së fundmi Qeveria e Kosovës ka rritur pagat e mjekëve me 4 për qind, çka ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi tek punëtorët shëndetësorë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/syla-greva-e-mjekeve-nuk-eshte-organizuar-nga-sindikata-e-shendetesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala