Skenari i fundit: Hashim Thaçi kërcënon me dorëheqje

Autori:Gazeta Fjala

download-6-852x460

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duket se me çdo kusht është i vendosur që të mos lejoi zgjedhje të reja në vend.

Nëse partitë politike nuk arrin të gjejnë një konsensus për formimin e një qeverie të re deri në muajin tetor, gazeta inFokus mëson se Hashim Thaçi po shqyrton mundësinë që të jap dorëheqje nga posti i Presidentit për t’iu kthyer politikës.

Burime të afërta me Thaçin kanë bërë të ditur se ai po përgatitet të shkoi në zgjedhje duke krijuar kaos politik në vend.

Ditëve të fundit liderët e partive politike në vend janë takuar me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare me të cilët është biseduar për formimin e një qeverie të re, e cila do të vazhdoi mandatin e lënë në gjysmë nga Ramush Haradinaj.

Në medie tashmë është raportuar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish- partia e tij- PDK janë duke bërë përpjekje që të mos lejojnë shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja, pavarësisht se Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Burime të afërta me Presidentin Hashim Thaçi dhe me kreun e PDK-së, Kadri Veseli kanë thënë se dy liderët janë duke kërkuar rrugë ligjore e kushtetuese, si dhe partner të mundshëm që vendi të mos shkoj në zgjedhje të reja.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtarë apo ftesë zyrtare nga Presidenca për partitë lidhur me konsultimet për qeverisjen në pjesën e mbetur të mandatit.

Rrugë ligjore se si të vazhdoj punën është duke kërkuar edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili të premten ka mbledhur kabinetin për të diskutuar lidhur me ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës pas dorëheqjes së kryeministrit.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj nga radhët e PDK-së ka theksuar se situata e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit ka një paqartësi ligjore dhe të procedurave të veprimit. Ai ka kërkuar nga kryeministri që së bashku me partnerët qeverisës dhe me liderët tjerë institucionalë të arrijnë një marrëveshje politike, që do të sqaronte procedurat e punës së kabinetit qeveritar në vijim.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ngritja e çështjes së kushtetutshmërisë dhe legalitetit të punës së Qeverisë pas dorëheqjes së tij, e detyron atë që të kërkojë qartësi nga organi kompetent, që është Gjykata Kushtetuese, për opinion kushtetues dhe ligjor të mënyrës dhe formës së funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.

Në ndërkohë Ambasada amerikane në Kosovë, e cila drejtohet nga Philip Kosnett ka bërë të ditur se po përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit politike.

“Duke vëzhguar me vëmendje se si Kosova ballafaqohet për herë të parë me dorëheqjen e një kryeministri. Si do të trajtohet kjo çështje, do të tregojë forcën e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për t’iu përmbajtur Kushtetutës dhe ligjeve”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Ambasada amerikane.

Por, interpretimet ligjore nga njohësit e së drejtës kushtetuese janë të ndara rreth asaj se si duhet të veprohet në këtë situatë./Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/skenari-i-fundit-hashim-thaci-kercenon-me-doreheqje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala