S’ka më letër në Doganë

Autori:Zekirja Shabani

leeter

Nuk ka më nevojë për të printuar dokumente e pëër të plotësuar formularë me dorë për kompanitë që importojnë e eksportojnë në Kosovë.

Dogana e Kosovës ka lansuar të mërkurën projektin e ri, i cili është  mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë për t`iu krijuar kompanive lehtësira në të bërit biznes.

Koncepti zhdoganimet “Pa letër” u përurua në Terminalin Doganor në Prizren dhe ka për qëllim eliminimin e procedurave dhe barrierave administrative si dhe përshpejtimin e procedurave të zhdoganimit të mallit.

Drejtori i Doganës zt. Lulzim Rafuna tha se është një hap i madh që e zhvillon doganën dhe i ofrohet standardeve të Bashkimit Evropian.

“Me këtë, do ta ulim koston e të bërit biznes dhe koston administrative, më pas do ta ulim burokracinë që ka ekzistuar në ndarjen në administratë të dokumentacionit me letër fizike. Poashtu, ky është një lehtësim për tregti, pasi në kohë më të shkurtër malli do të shkoj te konsumatori”, deklaroi Rafuna.

Ai gjithashtu tha se kjo do ti mundësoj doganës që burimet të cilat janë në dispozicion t’i koncentrojë te kontrollimi më i plotë i mallit.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu theksoi se kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për shkak të dimensionit ekonomik por edhe pasi po promovohet partneriteti publik-privat,  dhe partneriteti me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian.

“Kjo që është duke bërë Dogana e Kosovës është për t’u çmuar dhe respektuar. Vetë fakti që do të ndikojë në lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, fakti që do të ulen mundësitë për dukuri negative, do të reflektojë vetvetiu në krijimin e ambientit për të bërit biznes. Do të ndryshojë perceptimi për Doganën dhe vetë Kosovën. Ky është një motiv shtesë për investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë”, deklaroi Gërxhaliu.

Ndërsa znj. Megan Naylor zyrtare për ekonomi dhe tregti në Ambasadën Amerikane  tha se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur efikasitetin në Doganë.

Ajo theksoi se ky është një hap i madh përpara, pasi që  Kosova bëhet vendi i parë në Ballkan që aplikon sistemin e zhdoganimit “pa letër”./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ska-me-leter-ne-dogane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala