Sikur të ishte kështu

Autori:Zekirja Shabani

Zekirja Shabani

“Anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare”. Kjo klauzolë është vënë në parimet e Bankës Qëndrore të Kosovës për të ruajtur pavarësinë e këtij institucioni.

Sikur të ishte kështu.

Praktika e ka dëshmuar të kundërtën në tërë historinë e ekzistimit të institucionit të vetëm të thirrur të mbajë stabil sistemin financiar e atë bankar në Kosovë.

Guvernatori, i tanishëm, Bedri Hamza është ish-ministër i financave i Partisë Demokratike të Kosovës. Ndërsa ai i kaluari, Hashim Rexhepi, ishte udhëzuar nga këshilltari i kreut të Qeverisë se si dhe ku ti investonte paratë e qytetarëve të Kosovës.

Punëtorët e Hamzës janë familjarë të udhëheqësve politik e të afërt të zyrtarëve të lartë të shtetit. Disa të punësuar në të kaluarën e më shumë me ardhjen e tij.

Që nga viti 2013 kur është bërë Guvernator, janë punësuar 54 veta, siç edhe ka raportuar Gazeta Fjala këtë javë.

***

“Objektiv kryesor i BQK-së, dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, në përgjithësi dhe sektorit të sigurimeve në veçanti”.

Sikur të ishte kështu.

Javën e kaluar raportuam se Banka Qëndrore e Kosovës i është nënshtruar plotësisht bosëve të kompanive të sigurimeve në Kosovë, pasi ka lejuar fiksimin e çmimeve të polisave me rregulloren e re të nxjerrë mbi një marrëveshje të fshehtë.

Gazeta Fjala, ka dokumentuar krijimin e monopolit përmes marrëveshjes së njohur si “Marrëveshja Sëiss Diamond”, të datës 11 dhjetor të vitit 2016, që mbanë nënshkrimet e Behgjet Pacollit, Ekrem Llukës  e bosëve tjerë të sigurimeve në Kosovë.

Në bazë të kësaj nuk ka dallim më nëse kompanitë e sigurimeve mbajnë emra të ndryshëm. Të gjitha kanë vendosur një çmim për sigurimin e automjeteve.

E kjo është një nga marrëveshjet e ndaluara me ligj.

Ligji per konkurrencen i ndalon te gjitha marrëveshjet, te cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin e shtrembërimin e konkurrencës ne treg, veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejte ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Tashmë kjo marrëveshje po hetohet nga zyrtarët e Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës në bazë të Ligjit për konkurrencën, i cili ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin e shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që: “caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”. Zyrtarët e konkurrencës kanë marrë nga Gazeta Fjala të gjitha dokumentet që dëshmojnë për kurdisje të monopolist në tregun e sigurimeve.

Nëse gjen se u shkel konkurrenca, Komisoni ka të drejtë ligjore që ta zhbëjë marrëveshjen monopolistike si dhe të shqiptojë gjoba për subjektet pjsëmarrëse në marrëveshje.

Por, a ka guxim Autoriteti i Konkurrencës ti kundërvihet bosëve të sigurimeve?

Mbetet të shihet nëse udhëheqësit e këtij Autoriteti vërtetë janë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës  Nr. 03/L-229, i cili ka për qëllim të siguroj zhvillimin e qëndrueshëm të  ekonomisë së tregut të Kosovës duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin ose ç’rregullojnë konkurrencën.

Me këtë ligj përcaktohen rregullat dhe masat për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, kompetencat, organizimi i Autoritetit për mbrojtjen e konkurrencës si dhe procedurat në zbatim të këtij ligji.

Do të doja të ishte kështu.

*Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “rregullatori.com

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/sikur-te-ishte-keshtu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala