Sigurimet bujqësore në Kosovë fillojnë nga viti 2018

Autori:Gazeta Fjala

bujqesiaaaa

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC kanë mbajtur takimin e sektorit për sigurime bujqësore, ku qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i Projektit për Sigurime Bujqësore për të gjitha palët e interesit në Kosovë dhe krijimi i një platforme për diskutimet sektoriale në fushat potenciale për aktivitete të përbashkëta.

Në këtë takim u potencua se fillimi i sigurimeve bujqësore pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit 2018 dhe se sigurimet bujqësore ulin rrezikun operacional për fermerët dhe do të ketë efekt pozitiv financiar për ta.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se çështjen e krijimit të sistemit të sigurimit të veprimtarisë bujqësore si ministri e kanë trajtuar me prioritet të lartë dhe se është një nga objektivat e rëndësishme për të cilën janë angazhuar.

Sa i përket asaj se kur pritet të fillojë sigurimi bujqësor, Krasniqi tha se nëse çdo gjë shkon sipas planifikimit të tyre pritet që të fillojë në muajt e parë të vitit 2018, ndërsa kompensimi sipas tij do të jetë 50 për qind nga ministria dhe 50 për qind nga fermerët.

“Qëllimi ynë është që  nëse çdo gjë ecë sipas planifikimeve të cilat i kemi bërë dhe hapave të cilët po i ndërmarrim është që herët në vitin 2018 të kemi mundësinë të jenë produktet e parë në treg. Do të rezervohemi ndoshta për numrin e produkteve, por shpresa jonë është që t’i kemi së paku tri produkte në treg. Ndërsa, sa i përket masës së subvencionimit që ne do ta marrim përsipër nga pjesa e totalit të cilën do ta ofrojnë kompanitë e sigurimeve, planifikimi ynë është që ne ta mbulojmë 50 përqindëshin dhe 50 përqindëshin ta mbulojnë fermerët vetë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, planifikohet që tregu të ketë mundësi të ofrojë së paku tri produkte, një për sigurimin e kulturave dhe një të jetë e ndërlidhur me sektorin e blegtorisë.

“Kjo është një mbështetje që besojmë që jo vetëm se do të jetë i mirëseardhur për fermerët, por do të jetë një lehtësim për ta pavarësisht që tash askush prej nesh nuk mund ta paragjykojë shumën e primit, sepse nuk mund të flasim as për produktet konkrete sot. Por, shpresojmë shumë që herët në 2018 tregu të ketë mundësi të ofrojë së paku tri produkte dhe që së paku nga një të jetë në për sigurimin e kulturave dhe një që të jetë e ndërlidhur me sektorin e blegtorisë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësguvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se agrikultura mbetet sektori më atraktiv për ofrim të punësimit, por që sipas tij sfidë për agrikulturën mbetet qasja në financa dhe mbrojtja e rendimenteve bujqësore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/sigurimet-bujqesore-ne-kosove-fillojne-nga-viti-2018/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala