Siguria e ushqimit është siguri e shëndetit

Autori:Menderes Ibra

menderes Ibra

1.

Ka kohë që mjekët dhe komuniteti shëndetësor alarmojnë për përdorim të lartë të antibiotikëve në vendin tonë. Sipas tyre madje Kosova cilësohet ndër vendet lidere në Evropë për shkallën e gjërë të përdorimit. Antibiotikët mjaft shpesh jo vetëm që përdoren pa këshillën e mjekëve, por edhe blihen në barnatore pa reqetë, duke e bërë këtë fenomen profesionalisht pothuajse të pakontrolluar. Është evidente se pasojat për shëndetin nga kjo janë të shumëfishta e veçanërisht përmes rritjes së rezistencës së bakterjeve vdjekeprurëse ndaj antibiotikëve, por meqë kjo është çështje e profesionistëve shëndetësor, në këtë shkrim do të merrem vetëm me një segment të saj – atë të ndikimit të ushqimit.

Pra, sa  dhe si ndikon ushqimi ynë i përditshëm në rritjen e rezistencës së bakterjeve ndaj antibiotikëve, e cila është duke u shtuar gjithandej në botë duke kërcnuar shëndetin seriozisht. Dhe ushqimi me prejardhje animale e sidomos mishi është fatkeqësisht burimi kryesor i këtij rreziku e   përkeqësimit të gjendjes,  për arsye fare të qartë, sepse këto produkte i përdorim të gjithë, për çdo ditë dhe gjithëkund: që nga kuzhina shtëpiake, restaurantet, qebaptoret, e fast food-et  e deri në qendrat tregtare. Në forma të llojllojshme dhe madje në çdo vakt!

2.

Kosova është përdorues dhe importues i madh i produkteve animale e sidomos mishit. Kështu mestarja vjetore e importit për periudhën e dhjetë viteve të fundit është rreth 35000 tonë mish të shpezëve (ose 35 milion kg), plus konsumi nga prodhimi vendor.  Importi i mishit të gjedhit është poashtu i lartë (mestarja e viteve të fundit arrin në rreth 13000 tonë, kurse nga prodhimi vendor konsumohen edhe rreth 20000 tonë). Përveç kësaj çdo vit importohet edhe sasi e madhe e produkteve të përpunuara të mishit (proshutë, sallamë, sugjuk etj). Kjo tregon se ne jemi konsumues të mëdhenj të mishit,  me konsum mesatar për kokë banori (duke përllogaritur të gjitha llojet e mishit) rreth 55  kg/kokë banori në vit. Kësaj duhet t’i shtohet edhe konsumi i mishit të shpezëve vendore. Vlera totale  financiare e importit të mishit (duke përfshirë edhe kafshët e gjalla) viteve të fundit është 95-100 milion euro në vit (sipas çmimeve të hyrjes deklaruar në doganë).

3.

Muajve të fundit autoritetet në Britani të Madhe ndërmorrën një aksion të madh për të kontrolluar sidomos cilësinë e mishit të shpezëve në treg. Analizat dëshmuan për një prani të niveleve rekorde të bakterjeve rezistente në antibiotikë, përfshirë këtu edhe ata më të fuqishmit. Shqetësimi u paraqit jo vetëm për faktin se trendi i rritjes së kësaj dukurie nga viti në vit po përkeqësohet, por edhe pasi që nivelet e larta të bakterjeve në mishin e shpezëve ndikojnë lehtësisht në organizmin e njeriut negativisht, duke shkaktuar joefektivitetin e medikamenteve gjatë trajtimit të sëmundjeve. Pasojat pra janë të qarta – një nga metodat më të shpeshta të bartjes së bakterjeve rezistente në trupin e njeriut është pikërisht përmes zingjirit ushqimor animal e veçanërisht mishit. Shkencëtarët në këtë mënyrë konfirmuan se kafshët janë shkaktari kryesor i rritjes së rezistencës së bakterjeve ndaj antibiotikëve në trupin e njeriut. Shkenca është duke alarmuar se rezistenca ndaj antibiotikëve  sot është kriza më e madhe shëndetësore e kohës sonë e cila kërcnon shëndetin globalisht. E se sa serioze është kjo mjafton të përmendet se rreth gjysma e tërë sasisë së antibiotikëve që sot prodhohen në botë përdoren për të trajtuar kafshët.

4.

Nëse edhe në Britaninë e Madhe ka shqetësime të tilla çka të thuhet për vende tjera sikurse ne. Secili mund të pyes veten, nëse edhe në tregun aq të kontrolluar britanik ndodhë kjo, atëherë çka ndodhë te ne? Është jo vetëm e drejtë legjitime që secili të interesohet për nivelin e sigurisë ushqimore, por fundja edhe obligim fisnik njerëzor, sepse siguria e ushqimit në fund të fundit është siguri për shëndetin  dhe jetën.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK) është institucioni përgjegjës për sigurinë, kontrollin e cilësisë së ushqimit, qoftë atij vendor apo të importuar. Mandati i këtij institucioni sidomos në vorbullën e trendeve të rritjes eksponenciale të rreziqeve të nduarduarshme nga çdo anë, dhe të sfidave të përditshme, nuk është aspak i lehtë për t’u përmbushur. Duke qenë vërtetë esencial për shëndetin dhe jetën njerëzve kjo përgjegjësi e stafit është shumë fisnike, por edhe e tillë, që nëse  e merr me përkushtim të  mos mund të bësh gjumin rehat. Prandaj, është e drejtë  e çdo shtetasi që të pyes se cila është performanca e saj?  Çfarë është koordinim i saj me institucionet shëndetësore? Sa mostra të mishit janë analizuar p.sh. për praninë e bakterjeve rezistente në antibiotikë nga importi apo prodhimi vendor. Cilat janë rezultatet? A jemi duke konsumuar mish të shpezëve të mbushur me bakterje rezistente ndaj antibiotikëve? Cilat janë rekomandimet? Cilat janë masat konkrete që ndërmirren etj?

(Prezenca e bakterjeve rezistente në antibiotikë në ushqimet animale, pavarësisht se shumë e rëndësishëme, megjithatë është vetëm një sferë në kontekstin e gjërë të sigurisë së ushqimit dhe cilësisë së tij, që për shkak të hapësirës nuk mund të përfshihen në këtë shkrim. )

Kohëve të fundit zyrtarët e AUVK deklaruan se kanë mungesë stafi dhe buxheti si dhe renditën një mori ankesash tjera që ndikojnë në punën e tyre. Ajo çka e vështërson pozitën e saj është edhe konjuktura e strukturës institucionale. Duke qenë agjenci ekzekutive ajo nuk ka mandat për të hartuar politikat e caktuara, pasi që këto mund të bëhen vetëm në ministritë përkatëse. E ministria përgjegjëse për hartimin e këtyre politikave është Ministria  e Bujqësisë. Mirëpo, ka 12 vite që kjo agjenci është jashtë Ministrisë së Bujqësisë. Ajo është në varësi të Zyrës së Kryeministrit. Thjeshtë janë gjëra që nuk ndërlidhen në mes veti. Agjencia e Ushqimit duhet sa më parë të kthehet në Ministrinë e Bujqësisë, sepse aty hartohen politikat për prodhimin dhe qarkullimin e produkteve ushqimore, nga aty edhe mund të bëhet koordinimi efikas me institucionet tjera. Kështu është në shtetet tjera, dhe kjo është edhe kërkesë e KE në raportet e dokumentet e vayhdueshme që bën për Kosovën.

5.

AUVK duke mos qenë institucion vartës i Ministrisë së Bujqësisë  i vështërsohet  edhe puna e edhe funksonimi efektiv. Gjithandej në Evropë, por edhe më gjërë këto agjenci janë në ndërlidhje të ngushtë me ministritë e bujqësisë. Në këtë kuadër kjo gjë përë të mirën e shtetasve të Kosovës duhet të rregullohet një herë e mirë ashtu si në shtetet tjera. E kjo mund të bëhet përmes aprovimit të Ligjit për Ushqimin, i cili do të duhej të miratohej me prioritetin më të lartë, bile me urgjencë. Duke bërë kështu jo vetëm se do të përmirësohej funksionimi e efektiviteti i saj, por përmes saj do të rritej edhe niveli i sigurisë së ushqimit në vend. Në të njëjtën kohë do të plotësoheshin e harmonizoheshin edhe kërkesat që dalin nga obligimet tona në marrëdhëniet me KE, duke manifestuar kështu përkushtim dhe seriozitet. Sepse, fundja siguria e ushqimit duke determinuar sigurinë e shëndetit të popullatës mund të quhet lirisht si pjesë e rëndësishme e sigurisë nacionale, pasi që në forma të nduarduarshme në çdo moment mund ta afektojë atë seriozisht.

Duke e trajtuar  sigurinë e ushqimit si një prioritet të vazhdueshëm shtetëror, duke vendosur trupat dhe strukturat ku duhet dhe në koordinim me njëra tjetrën, duke planifikuar e organizuar resurset e duhura financiare por edhe ato njerëzore, në fakt menaxhohen me kohë dhe suksesshëm  të gjitha çështjet e ushqimit ndërlidhur me shëndetin e njerëzve, duke ua garantuar atyre sigurinë ushqimore.

E duke bërë këtë, në vend se të mirremi  nesër me pasojat e dëmshme eventuale,  të mirremi  sot me shkaqet,  mirëfilli, e pa improvizime duke i parandaluar e menaxhuar ato paraprakisht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/siguria-e-ushqimit-eshte-siguri-e-shendetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala