Si e mashtroi “Ambasadori” Hashim Thaçin?

Autori:Gazeta Fjala

oto

Kush është Otto von Feigenblatt dhe si arriti të bëhet Ambasador Nderi i Kosovës?

Një barcoletë në gjuhën angleze tregon se si njëri kishte dashur t’a marrë për grua vajzën e Bill Gates, miliarderit të Microsoft-it, por duke qenë nga një familje e varfër dhe i papunë e dinte se kjo gjë nuk do të mund të arrihej. Andaj edhe e bëri një plan.

Djali shkon tek Bill Gates: Zotëri, unë kam ardhur për t’ua kërkuar dorën e vajzës suaj.

Bill Gates: Jo!
Djali: Por unë jam drejtori i Bankës së Amerikës.
Bill Gates: Në rregull atëherë, u trashëgofshi.

Djali shkon tek Presidenti i Bankës së Amerikës: Zotëri, më bëj drejtor të bankës tënde.
Presidenti i bankës: Jo!
Djali: Por unë jam dhëndrri i Bill Gates.
Presidenti i Bankës: Në rregull atëherë, urime puna e re.

Këso plani me sa duket ka pasur edhe Otto von Feigenblatt, emri i të cilit përkthehet si Otto “Gjethe Fiku”, kur ka vendosur të bëhet Ambasador Nderi i Republikës sonë.

Titulli Ambasador Nderi i Kosovës është titull shtetëror që u ipet “qytetarëve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare e shtetësi të huaj, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesat nacionale të Kosovës”. Por sa e ka merituar këtë titull Otto von Feigenblatt, dhe a e ka ditur Presidenti Thaçi se kujt në të vërtetë po ia ndan këtë titull?

Në lajmin e publikuar në faqen e Presidentit me rastin e ndarjes së këtij titulli për Feigenblatt, thuhet se “Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur Presidentin e Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave Sociale në Florida të SHBA-së, Otto von Feigenblatt, njëherësh profesor në shumë universitete botërore”.

Dhe nëse bëhet një kërkim në Google, në shikim të parë, ky person të len përshtypjen e një akademiku, diplomati, dhe autor librash, i cili bën pjesë në një numër të madh organizatash të shquara akademike. Kështu edhe duket të ketë besuar Presidenti Thaçi.

Mirëpo nëse analizohet më në detaje, imazhi i Otto von Feigenblat fillon e qartësohet. T’i marrim një nga një.

Titulli i Profesorit

Një lajm i një gazete lokale në amerikë, që me sa duket i është përvjedhur tentimit për të mbajtur një imazh akademiku Otto-s, shkruan se si “Otto, i njohur për nxënësit e Shkollës së Mesme Royal Palm Beach si Dr. Otto, është emëruar Ambasador Nderi i Kosovës”. Lajmi më tutje thotë se Otto është i vlerësuar lart në këtë shkollë për punën e tij me nxënësit.

Me fjalë tjera, “profesori i shumë universiteteve botërore” i Presidentit Thaçi na del të jetë vetëm një profesor i një shkolle të mesme në shtetin e Floridas.

Autor i Librave

Që të ndërtojë imazhin e një intelektuali sa më mirë, Dr. Otto “Gjethefiku” është përkujdesur që të botojë edhe disa libra. Një kërkim në Amazon shfaq se Ambasadori ynë i Nderit është autor i 5 librave. Nëse lëmë anash cilësinë dhe seriozitetin e temave i cili është i mangët, mjafton të shihet më tutje që të vërehet se në fakt këto libra ose janë pamflete me shumë pak faqe, ose në rastet kur kanë shumë faqe, ato janë përmbledhje e temave nga autorë të ndryshëm, dhe Otto është vetëm njëri nga dhjetëra autorët, paçka që ky e ka prezantuar veten si autor i tërë përmbledhjes.

Më poshtë shihet në përmbajtjen e një libri, autor i të cilit është vetëquajtur Otto, se si në fakt ai është vetëm njëri nga autorët e shumtë.

Kurse në foton më poshtë e keni edhe vlerësimin e bërë nga një lexues për njërin nga librat e Otto-s, ku ndër tjera thotë që ky “libër” as pamflet nuk mund të quhet ngase i ka vetëm 88 faqe, përfshirë edhe referencat:

Një profesor i shquar, siç pretendon të jetë Otto von Feigenblatt, as që do të denjonte të vendoste emrin e tij në këso librash, e lëre më të paraqitet si autor i tyre.

Titujt e Nderit

Titulli më i fundit që ka marrë është ai nga Kosova, të cilin nëse shikoni profilin e tij në Facebook e përdorë pareshtur sikurse të ishte ambasador me të vërtetë. Dikush mund të thotë se mund të përfitojmë nga aktiviteti i tij në emër të Kosovës. Mirëpo shtrohet pyetja çka nëse ky person e keqpërdor këtë titull njësoj siç ka keqpërdorur titujt e tjerë për përfitime personale (shto këtu rastin më të fundit: çmimin e Lutfi Hazirit)?

Titulli tjetër të cilin e bart me shumë krenari është “Konti i Kobryn-it”. Në dëgjim të parë, ky titull të jep përshtypjen se ke të bësh me një anëtar të ndonjë familjeje mbretërore, mirëpo nëse kërkohet vendi Kobryn në Google, atëherë shfaqet një qytezë e vogël diku në Bjellorusi, e cila ka vetëm 50,000 banorë. Për më tepër, që të mbahet një titull i tillë vendi duhet të jetë monarki, siç është ta zëmë Mbretëria e Bashkuar, por të gjithë e dimë se Bjellorusia është larg prej monarkisë. Megjithëse ka një diktator për president, ende nuk është shëndrruar në monarki.

Sa u përket titujve të tjerë, duket të jenë organizata fiktive, meqenëse Google nuk mund të gjejë asgjë për disa prej organizatave.

Si përfundim, ky person ka mashtruar Presidentin e vendit tonë, duke u paraqitur si dikush që në fakt nuk është. Me fjalë tjera, Otto “Gjethefiku” ka përdorur strategjinë e njëjtë me atë djaloshit që donte të martohej me vajzën e Bill Gates. Dallimi i vetëm është se tregimi me Bill Gates është i trilluar, kurse ky me Republikën tonë është i vërtetë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/si-e-mashtroi-ambasadori-hashim-thacin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala