Shuhet Alternativa në Prishtinë

Autori:Gazeta Fjala

mimoza lila

Dega e Alternativës në Prishtinë njofton se ka ndërprerë zyrtarisht çdo bashkëpunim me partinë Alternativa për shkak të siç thonë ata, veprimeve autoritare të kryetares së kësaj partie Mimoza Kusari –Lila.

“Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, thuhet në njoftimin e degës së Alternativës në Prishtinë.

Dega e Alternativës në Prishtinë, thekson se duke i mbetur besnike parimeve të liberal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik.

“Mirëpo, ky synim i kësaj dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me leverdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake”, thekson tashmë ish-dega e Alternativës në Prishtinë.

“Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo formë të të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, thuhet në fund të komunikatës së ish degës së Alternativës në Prishtinë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shuhet-alternativa-ne-prishtine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala