Shqiptarët “bien” në depresion

Autori:Gazeta Fjala

depresion

Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon negativisht tek produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.

Anketa e përbashkët e INSTAT dhe ISHP-së më 2018 gjeti se 60-70 për qind e të anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv në këto javë.

Në përgjithësi, prevalenca e depresionit ka tendencë të jetë më e lartë në mesin e grave në moshë. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë profesional. Ekspertët kanë vënë re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të stigmës të lidhur me këtë gjendje.

Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës. Për të bërë një vlerësim rreth depresionit, të anketuarit u pyetën: “A jeni ndier në depresion gjatë dy javëve të fundit? Për të siguruar një tjetër tregues më të veçantë të depresionit, të anketuarit u pyetën nëse ata janë diagnostikuar nga një mjek. Në këtë rast, prevalenca e raportuar e diagnostikuar mbi depresionin pasqyron një kombinim më të saktë të gjendjes reale të popullatës me depresion.

Nga ana tjetër, 31% e grave dhe 43% e burrave thanë se nuk kanë përjetuar depresion dy javë para studimit, por nuk e përjashtuan të kaluarën. Kur u pyetën nëse kishin kryer vizitë te një mjek profesionist për depresion, 2% e grave dhe 4% e burrave u përgjigjën pozitivisht.

Të dhënat e gjetura nga anketa në raport me diagnozat tregojnë se depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë.

Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale dhe më i ulët në kategorinë e personave me arsim të lartë.

Rreth 22% e grave me arsim 8-vjeçar ndiheshin shumë në depresion dhe 9% e tyre janë diagnostikuar me depresion, teksa ndër ato me arsim universitar, këto përmasa ishin shumë më të ulëta.

Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit.

Në mesin e grave në kategorinë më të lartë të pasurisë, prevalenca e depresionit është më e ulët.

Një tregues i depresionit është dhe rritja e konsumit të barnave qetësuese në vend.

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të siguruara më herët nga Monitor, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016, u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiptaret-bien-ne-depresion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala