Shqipëria në kërkim të fitores së parë përball Spanjës

Autori:Gazeta Fjala

shqiperia

Shqipëria dhe Spanja, sonte nga ora 20:45, do të zbarkojnë në Shkodër për t’u përballur në duelin e fazës së tretë të grupit G për kualifikimet e Kampionatit Botëror që mbahet në vitin 2018 në Rusi.

Ndeshja e sontme, nuk do të jetë e para ndërmjet këtyre dy kombëtareve. Gjatë të kaluarës, Shqipëria dhe Spanja janë ndeshur pesë herë dhe po kaq është numri i disfatave për Shqipërinë, e cila do të kërkojë fitoren e parë kundër spanjollëve, shkruan Gazeta Fjala.

Sfida e parë ku janë takuar Shqipëria dhe Spanja, daton nga 3 dhjetori i vitit 1986 për kualifikimet e Kampionatit Europian “Gjermania 1988”. Takimi i zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë ku kishte mbledhur 18 mijë e 900 tifozë, iu kishte takuar spanjollëve që kishin triumfuar me rezultat 1-2.

Shkëlqim Muça kishte shënuar për Shqipërinë në minutën e 27-të, por spanjollët kishin përmbysur rezultatin, duke shënuar dy gola përmes Arteche në minutën e 67-të dhe Joaquin gjashtë minuta para përfundimit të takimit.

Ndeshjen kthyese e cila ishte zhvilluar më 18 nëntor 1987 në Sevilla, e kishte fituar sërish Spanja, por me rezultat 5-0, në një takim ku Jose Barkero ishte realizator i tre golave, ndërsa nga një gol e kishin shënuar Michel dhe Paco Llorente.

Ballafaqimi tjetër ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës, ishte zhvilluar më 19 dhjetor të vitit 1990 sërish për kualifikimet e Kampionatit Europian “Suedia 1992”.

Mirëpo, kësaj radhe nuk ishin zhvilluar të dy ndeshjet, por vetëm e para në prani të 12 mijë e 625 shikuesve të qytetin e Sevillas. Këtë takim e kishte fituar Spanja me rezultat 9-0.

Dy përballjet e radhës ishin zhvilluar për kualifikimet e Kampionatit Botëror “USA 1994”.

Edhe këto dy ndeshje i kishte fituar Spanja. E para ishte zhvilluar më 22 prill të vitit 1992 në stadiumin “Estadio Benito Villamarin” në Sevilla, ku Spanja kishte triumfuar me rezultat 3-0. Ndërkaq, edhe ndeshja e dytë e zhvilluar në “Qemal Stafa” në Tiranë, iu kishte takuar spanjollëve me rezultat 1-5. Golin e vetëm për “Kuqezinjtë”, e kishte shënuar Sokol Kushta, ndërsa për “La Furian” tre gola i kishte shënuar Julio Salinas, derisa nga një gol e kishin realizuar Toni Munoz dhe Caminero.

Ndeshja kundër Spanjës, është e treta për Shqipërinë për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusia 2018”. Në dy sfidat e para, Shqipëria ka realizuar dy fitore. Në Shqipëri ka fituar me rezultat 2-1 kundër Maqedonisë, ndërsa takimin e dytë e ka fituar në udhëtim tek Litenshtejni me rezultat 2-0./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiperia-ne-kerkim-te-fitores-se-pare-perball-spanjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala