Shqipëria ndër vendet me rrezik më të lartë për ekonominë në Europën Juglindore

Autori:Gazeta Fjala

Kriza-ekonomike

BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit, Fitch, ka publikuar në korrik raportin e fundit për indeksin e rrezikut në Europën Juglindore.

Indeksi i BMI’s i rendit vendet në një shkallë nga 0-100, duke i vlerësuar stabilitetin afatshkurtër dhe afatgjatë politik, perspektivën afatshkurtër ekonomike, potencialin afatgjatë ekonomik dhe barriera operacionale për të bërë biznes (sa më i ulët indeksi aq më i lartë është rreziku).

Shqipëria, së bashku me Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi përfshihen në vendet që kanë rrezikun më të lartë ekonomik në afatin e shkurtër. Për Shqipërinë, indeksi është 45.6, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnjë-Hercegovina me 36.5 dhe Kosova me 41.7%. Perspektivën më pozitive në afatin e shkurtër e ka Maqedonia, me një indeks prej 53.3.

Në afatin e gjatë, BMI parashikon për Shqipërinë një përmirësim të lehtë të perspektivës ekonomike (indeksi rritet në 49.6).

Raporti parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.7% këtë vit, nga 3.9% në 2017-n, për t’u ngadalësuar më tej në 3.5% në 2019-n dhe për ta marrë sërish veten në 2020-n, me një zgjerim prej 3.7%.

Inflacioni pritet të mbetet i ndrydhur, në rreth 2%. Deficiti i llogarisë korente pritet të përmirësohet, duke zbritur në 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2020-n, nga 6.5% në 2018-n.

Tensionet politike mbeten të larta, por qeveria nuk rrezikohet

Raporti thekson se rreziku politik do të mbetet i lartë në Shqipëri gjatë tremujorëve të ardhshëm, pavarësisht dorëheqjes së një parlamentari të Partisë Socialiste (PS) në pushtet, përfshirja e të cilit në trafikun e drogës nxiti protesta të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në fillim të vitit 2018, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. “Ne nuk besojmë se opozita do të jetë e suksesshme në qëllimin e saj, duke pasur parasysh popullaritetin e Ramës dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike”, thotë raporti, duke shtuar se vazhdimi i protestave do të ndikonte negativisht rritjen ekonomike.

“Megjithatë, ne besojmë se rreziqet janë në rritje dhe mund të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike. Protestuesit kanë bllokuar lidhjet e transportit, të cilat jo vetëm shkaktojnë çrregullime të aktivitetit ekonomik, por gjithashtu rrezikojnë të dëmtojnë investitorët e huaj dhe perceptimet e huadhënësve. Këto rreziqe do të rriten për aq kohë sa protestuesit vazhdojnë të shënjestrojnë projektet e infrastrukturës që pritet të ndërtohen me modelin e partneritetit publik privat, teksa kjo mund të çojë në tërheqje të fondeve për këto projekte. Një ngadalësim në këto projekte do të kufizonte krijimin e vendeve të punës, gjë që do të rriste shanset që protestat të përshkallëzoheshin dhe kjo mund të fillojë të kërcënojë jetëgjatësinë dhe fuqinë e PS”, thotë raporti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiperia-nder-vendet-me-rrezik-me-te-larte-per-ekonomine-ne-europen-juglindore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala