Shqipëria, me kreditë më të larta me probleme në rajon, ia kalon dhe Serbisë

Autori:Gazeta Fjala

kredite-me-probleme-BSH

Shqipëria ka kaluar për herë të parë këtë vit në shtetin që ka nivelin e kredive më të larta me probleme (NPL) në rajon, duke ia kaluar edhe Serbisë, që “kryesonte” në këtë tregues, teksa strategjitë për reduktimin e NPL-ve duket se po funksionojnë në rajon, por jo në vendin tonë.
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në gusht, huatë e pakthyera në afat u ngjitën në 21.4% të totalit, pas një rënieje në rreth 18% në fund të vitit të kaluar si rrjedhojë e fshirjes në atë kohë të huave të humbura nga bilanci i bankave. Disa falimentime të mëdha, që kanë pasur efekt zinxhir dhe kriza e sektorit të naftës rezultojnë arsyet kryesore të këtij përkeqësimi në pjesën e parë të këtij viti.
Pas nesh ka kaluar Serbia, niveli i NPL-ve të së cilës ka zbritur në 20.2% në qershor, sipas tabelave të fundit të publikuara në raportin e tremujorit të tretë të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potencial kandidate. “Zgjerimi i kreditimit dhe zbatimi i një strategjie për zgjidhjen e kredive me probleme kanë reduktuar normën e NPL-ve me 1.4 pikë përqindje që nga fillimi i vitit”, thuhet në raport. Vitet e fundit, Serbia ka qenë shteti me treguesin më të përkeqësuar të NPL-ve, ku 2015-a u mbyll me një nivel prej 21.6%, më e larta në rajon.
Mali i Zi, një tjetër shtet problematik me kthimin e kredive,  i ka ulur huatë me probleme në 11.7% në fund të tremujorit të dytë, nga më shumë se 22% në vitin 2010, përmes një strategjie për reduktimin e NPL-ve, të ashtuquajtur “Plani Podgorica”, ku ristrukturimi i kompanive ka qenë në thelb të planit, duke u preferuar dukshëm ndaj falimentimit të tyre, i shoqëruar me një monitorim të rreptë të bankave.
Shtetet e tjera të rajonit, Maqedonia, Bosnja e Kosova nuk kanë qenë problematike për sa i përket kthimit të huave me probleme, në raport me vendet e sipërpërmendura dhe duket se vijojnë ta mbajnë nën kontroll këtë tregues. Në Maqedoni, p.sh., niveli i NPL-ve u ul në 7.2% në fund të tremujorit të dytë, nga 10.3% në fund të 2015-n dhe 11.9% që kulmoi në vitin 2013.
Edhe Bosnja i ka ulur nga 15.2 në 2014-n, në 12.1% në fund të qershorit 2016.
NPL-të më të ulëta janë në Kosovë, në vetëm 5.3% e huave të dhëna, që nuk janë kthyer në afat në banka.

kredite me probleme, BSH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiperia-me-kredite-me-te-larta-me-probleme-ne-rajon-ia-kalon-dhe-serbise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala