Shqipëria e fillon me fitore rrugëtimin drejt botërorit

Autori:Gazeta Fjala

14202761_618950421610482_7188559373302195844_n

Shqipëria e ka fituar duelin kundër Maqedonisë me rezultat 2-1 në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës ”Rusia 2018”.

Ndeshja kundër Maqedonisë është zhvilluar mbrëmë deri në minutën e 75-të, ku pranë rezultatit 1-1 është ndërprerë për shkaqe natyrore si pasojë e reshjeve të mëdha shiut, e të cilat pamundësuan vazhdimin e takimit.

Në bashkëpunim me dy federatat, atë të Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), ka vendosur që takimi të zhvillohet sot (E marte), nga ora 14:00.

Ballafaqimi ka vazhduar nga minuta e 75-të dhe 15-të minutat e fundit i kanë takuar ”Kuqezinjve”, që arritën të fitojnë tri pikët e para në kuadër të grupit G.

Golin e parë në ndeshje e ka shënuar Shqipëria. Pas një pasimi nga Elseid Hysaj në minutën e 9-të, Armando Sadiku ka shënuar nga një distancë prej 20-të metrash për epërsinë e Shqipërisë. Me rezultatin 1-0 për Shqipërinë është mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Maqedonia e ka barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e 51-të pas një pakujdesie në mbrojtjen shqiptare. Golin e barazimit për maqedonët, e ka shënuar Ezdzhan Alioski.

Ndërkohë, golin e fitores për Kombëtaren e Shqipërisë, e ka realizuar Bekim Balaj në minutën e 89-të të ndeshjes pas një krosimi të Ledian Memushajt, shkruan Gazeta Fjala.

Në takimet tjera të grupit G, Spanja e ka fituar takimin kundër Litenshtajnit me rezultat 8-0, ndërsa Italia ka fituar me rezultat 3-1 në udhëtim tek Izraeli.

Spanja, Italia dhe Shqipëria i prijnë grupit G me nga tri pikë pas takimeve të para që janë zhvilluar.

Takimin e radhës, Shqipëria e zhvillon në udhëtim tek Litenshtajni më 6 tetor në stadiumin ”Rheinpark Stadion” nga ora 20:45. (Gëzim Olluri)/GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiperia-e-fillon-me-fitore-rrugetimin-drejt-boterorit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala