Shqipëria do të zbardhë shkakun e vdekjeve në QKUK

Autori:Gazeta Fjala

qkuk

Rezultatet e analizave të Institutit të Toksikologjisë në Tiranë do të zbardhin shkaktarin e dy vdekjeve të dyshimta, të cilat kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në sallat e Klinikës së Kirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me vendim të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) mostrat e gazrave që janë përdorur gjatë operacionit në Klinikën e Kirurgjisë janë dërguar për analizë në Shqipëri, pasi nga hulumtimet e bëra deri më tash ka rezultuar se faktori njeri dhe preparatet farmaceutike të përdorura gjatë operacionit kanë qenë shkaktarë të dy vdekjeve në sallën e Repartit të Kirurgjisë në QKUK.

Po ashtu edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka nisur t’i grumbullojë informacionet rreth rastit në fjalë. “Prokuroria është në fazën fillestare të grumbullimit të informatave dhe varësisht nga përmbajtja e tyre ne do t’i marrim veprimet e nevojshme”, tha për “Kallxo.com” Armend Hamiti, prokurori i cili po merret me këto raste.

Hamiti më tutje deklaroi se pas mbledhjes së informacioneve mund të pasojnë edhe veprime të tjera.

“Hetuesit janë autorizuar dje për grumbullimin e informacionit dhe sapo të kemi pranuar një raport nga ata, do t’i ndërmarrim veprimet e tjera”, tha Hamiti.
Por në anën tjetër Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) thotë se në opinion ka pasur dezinformata se bëhet fjalë për katër vdekje të dyshimta në reparte të QKUK-së.

Por, sipas tij, për hir të vërtetës bëhet fjalë për dy vdekje të dy personave të moshës së shtyrë, mbi 70 vjeç, të cilët kanë qenë raste shumë të rënda të diagnostikuar me tumor.
“Por, megjithatë, pasi që kemi marrë informacione se ka pasur disa indikatorë që mund të çojnë deri te vdekja e tyre, drejtori ka thirrur mbledhje urgjente dhe më pastaj ka krijuar disa komisione në kuadër të SHSKUK-së. Një komision është krijuar nga sektori i Farmacisë, të cilët kanë bërë një analizë të produkteve farmaceutike që janë përdorur gjatë operacionit dhe pas analizimit të tyre është konstatuar se të gjitha produktet farmaceutike kanë qenë në rregull”, ka thënë Veseli.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqiperia-do-te-zbardhe-shkakun-e-vdekjeve-ne-qkuk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala