Shqetësuese: Filmat në Kino ABC nuk po i shikon askush (Foto)

Autori:Zekirja Shabani

Untitled-design-21

Të hënën asnjë person nuk u interesua që në terminin e orës 22:00, ta shoh në kinemanë ABC një prej filmave të fundit botëror “Bad Times At The El Royale”.

Sikur edhe në shumë netë të tjera, në këtë orar në një prej kinemave që dikur kishte nam të madh në Kosovë, nuk shkoi askush, shkruan Gazeta inFokus.

E të martën në terminin e orës 17:00, kur u shfaq filmi “Venom”, i cili në të njëjtën kohë po shfaqet edhe në gjithë botën, shikues ishin vetëm dy persona.

Njëri prej dy shikuesve, Artrit Berisha nuk u nda shumë i kënaqur me filmin që pa.

“Shumë pak njerëz. Nuk pat atmosferë. Më shumë njerëz me pas është më emocionuese, mu duk sikur me e shiku në shtëpi. Është në qendër, por çmimet që i ka të larta mund të ndikojnë. Kualiteti jo shumë si duhet të jetë”, thotë Berisha.

Kjo situatë me pak shikues ka kohë që është e tillë.

E krejt kësaj i ka kontribuar edhe një proces tjeter.

Në Agjencionin Kosovar të Privatizimit tregojnë se që nga 2 shkurti i vitit 2015, kjo ndërmarrje është në proces të likuidimit.

“Procesi i likuidimit i ndërmarrjes “Kinemaja ABC Genci” po vazhdon dhe administrohet nga Autoriteti i Likuidimit i emëruar për këtë ndërmarrje. Ndërmarrja ka disa asete në kuadër të saj dhe statusi i saj që nga paslufta është i definuar si ndërmarrje në pronësi shoqërore, e cila administrohet nga AKP-ja. Prona apo objekti ku shfaqen filmat shfrytëzohet nga Ndërmarrja Shoqërore “Kinemaja ABC Genci” (KINO ABC), e cila po ashtu i është nënshtruar procedurës së likuidimit”, thotë Ylli Kaloshi zëdhënës në AKP.

Ai shton se objekti ku aktualisht shfrytëzohet si kinema është pronë e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe se shfrytëzohet nga ABC-ja me qera.

Kjo kinema që dikur kishte rreth 50 punëtorë, tani numëron vetëm rreth 15 të tillë.

Si shkak i numrit të vogël të stafit, një person duhet të kryejë disa punë.

Dikush aty punon si shankist, kamarier, shitës biletash e mirëmbajtës i objektit.

Në AKP nuk kanë ndonjë përgjigje të saktë se kur pritet të përfundojë procesi i Likuidimit për këtë ndërmarrje.

“Autoriteti i Likuidimit i ka shqyrtuar kërkesat kreditore, ndërkaq priten vendimet finale nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës. Likuidimi do të vazhdoj deri në përmbylljen e këtij procesi ashtu siç parashihen me procedurat ligjore bazuar në Ligjin e AKP-së/Shtojcën e Ligjit për Likuidim. Ende nuk është marrë vendim nga Bordi i Drejtorëve për kohën e shitjes së aseteve të kësaj ndërmarrjeje shoqërore dhe në momentin kur do të ketë ndonjë vendim për të ardhmen e ndërmarrjes apo aseteve të saj, Agjencia do ta njoftoj opinionin e gjerë publik”, thekson zëdhënësi Kaloshi.

Vetëm 10.791 vizitorë kishte kinemaja ABC gjatë vitit 2017 edhe pse aty u shfaqën premiera të shumta.

E krejt kjo sipas Kaloshit ka ndodhur si shkak i investimeve që janë bërë tek konkurrentët e ABC-së.

“Kinemaja ABC Genci e ka vazhduar aktivitetin me përkushtim të njëjtë si më parë edhe me pajisje shumë të vjetruara, duke u munduar për të plotësuar kërkesat e të interesuarve për kinema, ndërkaq konkurrenca sigurisht se ka ndikuar në rënie të numrit të vizitorëve”, tha ai duke mos treguar nëse procesi i zgjatur i likuidimit të kësaj ndërmarrje ka ndikuar që të bie edhe numri i shikuesve. /Gazeta inFokus.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shqetesuese-filmat-ne-kino-abc-nuk-po-i-shikon-askush-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala