Shpend Ahmeti dyshohet se e vodhi idenë për “Parkun e të Martuarve”

Autori:Gazeta Fjala

parkuu

Në Prishtinë të porsamartuarit, pas kurorëzimit, do të kenë mundësinë ta mbjellin nga një pemë si simbolikë dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Këtë javë, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti me krenari ka inauguruar hapësirën ku do të zhvillohet projekti që do të dëshmoj dashurinë e përjetshme mes çifteve.

Ahmeti, meritat për të cilin park i janë adresuar nuk ka përmendur asnjëherë se e kujt ishte ideja e mbjelljes së pemëve nga të sapomartuarit, shkruan Gazeta Fjala.

Por, një qytetar nga Rahoveci, Esheref Haxhiu, që po kryen studimet PhD në Poloni, e që u bë i njohur për gjestin e tij duke u hedhur në ujë për t’ia shpëtuar kuletën një familjeje, ka ngritur dyshimin se Komuna e prishtinës e ka përvetësuar idenë e tijë për parkun, të propozuar në vitin 2010.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, Haxhiu ka treguar se para 7 vitesh bashkë me profesor Nait Vrenezin, në Universitetin e Prishtinës, patën diskutuar për mundësinë e përdorimit të personave me nam publik për të modeluar sjellje të caktuara tek qytetarët, shkruan Gazeta Fjala.

“P.sh, nëse mund t’i bindim yjet e estradës që të mbjellin fidane gjatë martesave të tyre, atëherë edhe qytetarët e rëndomtë do ta modelonin atë sjellje. Profesor Vrenezi e pat mirëpritur shumë këtë ide dhe më pat inkurajuar që ta zhvilloj më tutje në projekt. Disa ditë më pas, bashkë me të dhe dy kolegë të tjerë, Granit Shatri dhe Jusuf Thaçi, e patëm precizuar idenë, dhe më pas e kam dërguar atë në disa institucione qeveritare dhe joqeveritare në Kosovë”, shkruan Haxhiu.

Gazeta Fjala sjellë të plotë projektin për mbjelljen e fidanëve, të propozuar në Janar të vitit 2010.

Rreth parkut të të martuarve në Prishtinë:

Duke lexuar lajmet për zhvillimet në Kosovë, hasa në artikujt për parkun e të martuarve në Prishtinë, të inaguaruar së fundmi nga kryetari, Shpend Ahmeti. Për një çast, mendova se edhe unë kam pak hise në këtë projekt.

Në vitin 2009, gjatë një ligjërate për teorinë e të mësuarit social të Albert Bandurës, me profesor Nait Vrenezin, në Universitetin e Prishtinës, pata ngritur shqetësimin nëse mund t’i përdorim personat me nam publik për të modeluar sjellje të caktuara tek qytetarët.

P.sh, nëse mund t’i bindim yjet e estradës që të mbjellin fidane gjatë martesave të tyre, atëherë edhe qytetarët e rëndomtë do ta modelonin atë sjellje. Profesor Vrenezi e pat mirëpritur shumë këtë ide dhe më pat inkurajuar që ta zhvilloj më tutje në projekt. Disa ditë më pas, bashkë me të dhe dy kolegë të tjerë, Granit Shatri dhe Jusuf Thaçi, e patëm precizuar idenë, dhe më pas e kam dërguar atë në disa institucione qeveritare dhe joqeveritare në Kosovë.

Projektin në fjalë mund ta lexoni më poshtë.

Fatkeqësisht, asnjë nga institucionet respektive nuk patën shfaqur gatishmëri për të mbështetur realizimin e projektit në fjalë. Mirëpo, për fat të mirë, tani, 7 vite më pas, shoh që në mënyrë të pjesshme qenka realizuar në Prishtinë. Unë do të isha shumë i lumtur po që se ai do të realizohet në plotësi në muajt apo vitet në vazhdim. Po ashtu, nëse ideja është marr nga unë, atëherë do të isha po ashtu i lumtur që të paktën të informohesha, nëse jo të pyetsha për të.

Nuk e di a është rastësi apo jo, por është hera e tretë që po ndodh diçka e këtillë. Rreth katër vite me parë pata zhvilluar një projekt për parandalimin e aksidenteve fatale në Kosovë. Për realizimin e tij pata pasur takim me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, Ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli, si dhe zëdhënësin e policisë së Kosovës, Baki Kelani. Edhe pse shumë i mirëpritur, projekti nuk arriti të realizohej në atë kohë. Çuditërisht, po i njëjti është realizuar vitin e kaluar nga policia e Kosovës.
Tani, unë nuk kam të drejtë që të pretendoj me këmbëngulje që këto ide janë marr nga unë, por dyshime kam, dhe nuk po hezitoj që ato t’i shfaq me ju.

Për ata që janë të interesuar, ju lutem lexoni më poshtë projektin për mbjelljen e fidanëve, të propozuar në Janar të vitit 2010.

 

Emri i projektit: “Mbjellja e Fidanëve”
Nevoja (arsyetimi) i projektit:

Shqetësimet e shoqërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit, çdo ditë e më shumë po aktualizohen. Paralel me këto shqetësime, janë edhe përpjekjet e vazhdueshme institucionale dhe organizative, për të punuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të ndryshme, për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj. Politika këto që përpiqen ta vetëdiesojnë dhe nxisin faktorin njeri për një kujdes më të shtuar ndaj mjedisit.
Sa do që të jenë këto përpjekje, shpesh herë ngelin brenda institucioneve, organizatave, apo grupeve përkatëse të cilat merren më ekskluzivisht me këto qështje, ndërsa mungon përfshirja masive e qytetarëve në dhënien e kontributit të tyre.
Një përfshirje masive në mbjelljen e fidanëve, përveç që do ta pasuronte mjedisin, po ashtu do ta ngrite nivelin e vetëdijes ekologjike tek njerëzit, si dhe do ta forconte lidhjen e tyre me natyrën.
Një sukses i këtillë do të jetë më i dukshëm, në qoftë se mbjellja e fidanëve shoqërohet me momente të tilla festash si: matura, diplomimi, martesa dhe punësimi.

Qëllimi i projektit:

Projekti ka për qëllim vetëdijesimin e njerëzve për ruajtje dhe kujdes më të shtuar ndaj mjedisit; zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, duke i motivuar qytetarët që në momentet e festave të tilla si: matura, diplomimi, martesa dhe punësimi, të mbjellin fidane. Si dhe, duke e ndërlidhur praktikën e mbjelljes së fidanëve me këto momente gëzimi, projekti ka për qëllim kryesor krijimin e shprehisë tek njerëzit që të mbjellin e fidane në këto moment festive.

Objektivat e projektit:

– Vetëdijesimi i qytetarëve për ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit
Duke përdorur të gjitha format dhe mjetet e mundshme të komunikimit, qytetarët do të informohen për rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të mjedisit, si dhe do të nxiten që të japin kontributin e tyre.

– Zgjerimi i sipërfaqeve të gjelbëruara
Me anë të një fushate të gjithanshme, duke u përqendruar në atë mediale, qytetarët e Kosovës do të nxiten që me rastin e festave të tilla si: matura, diplomimi, martesa dhe punësimi, të bëjnë mbjelljen e fidanëve. Në këtë kuptim, mbjellja e fidanëve në këto momente festive do të jetë akt simbolik i festës, si dhe pasurim i mjedisit.
Në bashkëpunim me institucionet gjegjëse, do të bëhet përcaktimi i sipërfaqeve që do të gjelbërohen. Ndërsa, në bashkëpunim të ngushtë me mediat, do të kërkohet nga personat me status të lartë social (këngëtar, aktor dhe figura tjera publike) ta zbatojnë praktiken e mbjelljes së fidanëve me rastin e festave të këtilla, në mënyrë që kjo praktikë të përvetësohet nga qytetarët tjerë.

– Krijimi i shprehisë për mbjelljen e fidanëve
Duke përdorur mediat dhe statusin e njerëzve me famë publike, në nxitjen e qytetarëve për të mbjell fidane në këto momente festive, qytetarët do të motivohen që ta zbatojnë praktikën e mbjelljes së fidanëve në këto momente festash. Në këtë mënyrë, projekti do të arrijë që mbjellja e fidanëve për festa të bëhet shprehi tek qytetarët.
Duke shikuar në retrospektivë, historia tregon për një traditë të këtillë tek shqiptarët. Në kohën e Skënderbeut, çiftet me rastin e martesës mbillnin një çift ullinjsh, si shenjë e bashkëjetesës dhe jetëgjatësisë në lidhje, si dhe besnikërisë ndaj njëri tjetrit. Pra, krijimi i shprehisë për mbjelljen e fidanëve në momentet e festave, përveç tjerash është edhe rikthim i vlerave ekologjike.

Aktivitetet (mënyra e realizimit) projektit :

– Do të organizohet një fushatë e gjerë, me strategji të ndryshme, por duke u përqendruar në ato mediale, për ti nxitur qytetarët në dhënien e kontributit të tyre për mbjelljen e fidanëve në momentet e festave të lartcekura.
– Do të kërkohet nga personat me status të lartë social si: këngëtarë, artistë, dhe figura tjera publike, që të zbatojnë praktikën e mbjelljes së fidanëve, dhe kjo praktikë të përcillet nga mediat, në mënyrë që sjellja e këtyre personave me status të lartë social të përvetësohet edhe nga qytetarët tjerë.
– Në bashkëpunim me institucionet dhe organet tjera kompetente, do të përcaktohen hapësirat e caktuara që do të gjelbërohen gjatë implementimit të këtij projekti

Vendi dhe koha e realizimit:

Projekti ka për qëllim të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, në interval kohorë të vazhdueshëm.

Ideator i projektit:

– Esheref Haxhiu

Grupi nisiativë për implementimin e projektit:

– Nait Vrenezi
– Jusuf Thaçi 
– Granit Shatri 
– Esheref Haxhiu

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/shpend-ahmeti-dyshohet-se-e-vodhi-idene-per-parkun-e-te-martuarve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala