Serwer: Asociacioni mund ta pengojë Kosovën si Republika Srpska Bosnjën

Autori:Zekirja Shabani

serwer

Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer, që është edhe profesor në Johns Hopkins School of Advanced International Studies, i ka bërë një analizë marrëveshjeve të arritura në Bruksel,duke u fokusuar tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Në një shkrim të publikuar në peacefare.net, ai ka theksuar se negociatorët kosovarë kanë bërë mirë që e kanë bërë të qartë se Asociacioni do të formohet në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe do të verifikohet në Gjykatën Kushtetuese. Por, Serwer ka shkruar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është i definuar etnikisht, (jo gjeografikisht dhe politikisht) dhe mund të bëhet një bërthamë e fortë e strukturave të ndara qeverisëse serbe në Kosovë.

“Kjo është frika: një entitet serb i ndarë në Bosnjë e Hercegovinë e ka bërë disfunksional këtë shtet” ka shkruar ai.

“Fatkeqësisht pakoja e Ahtisaarit e ka lënë derën e hapur që kjo të ndodhë në Kosovë” ka theksuar ish-diplomati amerikan.

Sipas Serwer, e gjithë kjo ka mundur të jetë zgjidhje perfekte në kontekst europian, por kjo mund të jetë një ankth në Ballkan.

“Disa kolegë kanë thënë se nuk ka vend për tu brengosur shumë sepse interesat e kundërta ndërmjet komunave të mëdha dhe të vogla dhe të atyre që janë veri dhe jug të Ibrit, do të kufizojnë atë që mund bëjë Asociacioni. Kjo mund të jetë e saktë, pasi komunat udhëhiqen nga interesat e tyre. Por nëse Beogradi insiston që komunat serbe t’i binden drejtimit të tij, gjë që mund të ndodhë për shkak të resurseve që do të ofrohen, atëherë argumentimi më lart mund të jetë jobindës” ka potencuar ai.

Serwer ka theksuar se Asociaconi, i kombinuar me influencen e deputetëve serbe në Parlamentin e Kosovës, mund të jetë pengesë e fortë për zhvillimin e mëtejmë institucional të Kosovës dhe një burim mospajtimesh ndërmjet shqiptarëve.

“Qeveria e Prishtinës nuk ka pasur zgjedhje: ka qenë e obliguar ta implementojë pakon e Ahtisaarit. Shumë keq që ky plan nuk ka qenë më mirë i artikuluar rreth kësaj çështjeje” ka theksuar ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/serwer-asociacioni-mund-ta-pengoje-kosoven-si-republika-srpska-bosnjen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala