SBASHK-u do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit të Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

sbashk-780x439-600x360

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore për kompensimin e orëve të humbura, dhe për këtë aktgjykim do ti drejtohet Gjykatës së Apelit.

SBASHK-u është me arsye i pakënaqur me  Aktgjykimin A.nr.552/19 lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje  administrative dhe prandaj do t’i drejtohet me ankesë Gjykatës së Apelit të Kosovës  me kërkesën që të anulohet ky Aktgjykim sepse konsiderojmë se , veç tjerash, Gjykata Themelore  në Prishtinë  për të sjellë Aktgjykimin  e saj në dobi të vendimit të pabazuar në ligj të MASHT-it lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevën e Janarit, nuk është bazuar në argumente , por në emocione momentale e madje fitohet përshtypja se edhe ka qenë e ndikuar politikisht nga deklaratë e  disa prej institucioneve, debateve të një pjese të deputetëve në seancën e jashtëzakonshme të  Parlamentit dhe nga individë të ashtuquajtur Këshillë të Prindërve.

Kujtojmë se kishte individë e grupe që publikisht kishin kërkuar që Parlamenti të amandamentojë Ligjin e grevave dhe t’ia  mohoj të drejtën për grevë sektorit të arsimit, por duke  kuptuar se kjo do të ngjallte reagim të ashpër nga sindikata dhe do të kishte reagime të ashpra edhe në nivelin ndërkombëtar, ata mundohen të zhvleftësojnë  e humbin forcën  dhe efektin e grevës  përmes një vendimi të Gjykatës , që nuk përfill argumentet e bazuara të SBASHK-ut, po thirret në emocione e në Udhëzimin  Administrativ të kohës së UNMIK-ut, siç është UA nr.42/2005 për kompensimin e orëve të pa realizuara nga mësimdhënësit, i datës 28.09.2005, Udhëzim ky që nuk ka bazë ligjore sepse ka të bëj me Ligjin nr. 2004/37 për Inspektoratin e Arsimit në Kosovë , i cili është shfuqizuar me Ligjin për inspektoratin e arsimit në Republikën e Kosovës nr.  06/L-046 të datës 10.08.2018 të aprovuar nga  institucionet e Republikës së Kosovës.

Ankesa e SBASHK-ut  drejtuar Gjykatës së Apelit bëhet edhe për arsye se konsiderojmë se  Gjykata Themelore në Prishtinë  ka bërë konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes  faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes së dispozitave të procedurës së përgjithshme administrative e aq më tepër është bazuar ne një Udhëzim Administrativ 42/2005 të kohës se UNMIK-ut me bazë ligjore te shfuqizuar. SBASHK-u beson se Gjykata e Apelit do të sjellë vendim meritor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/sbashk-u-do-ti-drejtohet-gjykates-se-apelit-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala