Rrugët me pagesë, ja çmimet që ka planifikuar qeveria

Autori:Zekirja Shabani

Autostrada_A7_Italia_01

Qeveria e Shqipërisë përfundoi hartimin e strategjisë për tarifimin e rrugëve, ku janë të përcaktuara tarifat që do të paguhen nga automjetet.

Sipas draftit të hartuar nga Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, me kërkesë të Qeverisë, janë rekomanduar për t’u taksuar 9 kategori automjetesh.

Në draftin e strategjisë, në rast miratimi, rekomandohet që norma bazë e taksës së kalimit në rrugë për veturat të variojë nga 0,5 cent deri në 3,5 cent për kilometër, kurse për motoçikletat 0,5 cent për kilometër.

Në tarifim janë përfshirë edhe furgonët, norma e tarifimit për ta është përcaktuar 1,5 cent për kilometër, kurse për autobusët 2 deri në 3 cent për kilometër dhe për kamionët 4 cent për kilometër.

Në rast se tarifat e rekomanduara miratohen nga Qeveria, për një rrugë ku kalimi do të jetë me pagesë, për 100 km një veturë do të paguajë 3,5 euro. Në strategji mbetet e papërcaktuar nëse tarifat do të jenë për rrugë individuale apo do të vendosen njëlloj për të gjithë rrjetin.

tabela-rruget

Në draft sugjerohet që të tarifohen 9 rrugë, ku për zbatim të menjëhershëm rekomandohet Tiranë­-Durrës, Milot­ -Morinë, Tiranë­- Elbasan dhe Rruga e Arbrit, që ende s’ka përfunduar. Hartuesit e draftit paraqesin dy opsione për mënyrën e implementimit të sistemit të tarifimit.

Sistem i mbyllur, ku sheshet e pagesave të jenë në çdo hyrje dhe dalje të autostradës, çka siguron që të gjithë shoferët të paguajnë sipas distancës të udhëtimit.

Opsioni i dytë është sistemi i hapur, që ofron sheshe tarifore në intervale përgjatë shtrirjes kryesore të autostradës, shkruan Panorama. Në strategjinë për vendin tonë rekomandohet skema e hapur për pagimin e tarifave.

“Një skemë e tillë do të minimizojë numrin e nevojshëm të pikave të kontrollit dhe zbulimit të automjeteve dhe do të kontribuojë në uljen e kostove të ndërtimit dhe operimit”,- thuhet në draftin e tarifimit të rrugëve.

tabela-e-rrugeve

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/rruget-me-pagese-ja-cmimet-qe-ka-planifikuar-qeveria/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala