Rruga e Kombit dhe fatura 30 vjeçare që do të peshojë në xhepat e shqiptarëve

Autori:Gazeta Fjala

rr_1509948296-1959837

Fatura që qytetarët shqiptarë kanë paguar për rrugën Durrës-Kukës përbën një rekord, jo vetëm për rajonin, por edhe në Europë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në total buxheti ka paguar 1.2 miliardë euro për ndërtimin e autostradës me gjatësi 170 kilometra.

Ky është një nga rastet e rralla, kur një vend shpenzon 13 për qind të Prodhimit Kombëtar në një vepër të vetme publike. Por, kjo shifër nuk e tregon të plotë faturën që shqiptarët kanë paguar në emër të rrugës Durrës-Kukës.

Para se kjo vepër të ndërtohej, qytetarët kanë paguar edhe 200 milionë euro të tjera përmës taksës “Majko”. Këto para u mblodhën për ndërtimin e Rrugës së Kombit u shpenzuan nga qeveria e atëhershme për qëllime të tjera.

Në total janë 1.4 miliardë euro. Por edhe kjo është vetëm fatura direkte. Kostoja e vërtetë e rrugës është shumë më e madhe për shkak të pasojave zinxhir në financat e shtetit.

Në periudhën 2008-2009, për të përballuar faturat e rrugës, qeveria e rriti borxhin publik me 6 për qind në vetëm dy vjet. Dalja e financave të shtetit nga kontrolli sjell rritjen e interesave të borxhit, por edhe zhvlerësim rekord të lekut brenda një kohe të shkurtër.

Borxhi publik i Shqipërisë vazhdoi të rritet edhe pas 2009-ës duke arritur deri në 73 për qind të Prodhimit Kombëtar. Ndonëse, në vitet më vonë borxhi u përkeqësua edhe nga kriza globale, rruga Durrës-Kukës ishte goditja fillestare që lëkundi themelet e financave të shtetit. Kostot janë duke i paguar sërish qytetarët përmes taksave më të larta.

Krahasuar me vitin 2012, qeveria e ka rritur barrën fiskale me 400 milionë euro në vit. Por, as këto para nuk mjaftojnë për të mbyllur faturën e rrugës Durrës-Kukës.

Për 30 vitet e ardhshme qytetarët shqiptarë do të paguajnë edhe 400 milionë euro të tjera, për përfundimin e autostradës dhe mirëmbajtjen e saj, jo nga paratë shtesë që qeveria mbledh nga taksat, por pjesa më e madhe si pagesa direkte kur të kalojnë në këtë rrugë./Top Channel/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/rruga-e-kombit-dhe-fatura-30-vjecare-qe-do-te-peshoje-ne-xhepat-e-shqiptareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala