Rruga drejt bashkimit PDK-Vetëvendosje

Autori:Zekirja Shabani

Zekirja Shabani

Më 23 mars 2005, sekretari i atëhershëm i PDK-së, Jakup Krasniqi i pati dorëzuar UNMIK-ut një dosje prej 488 faqesh për të hetuar ministrat e LDK-së dhe shumë anëtarë të kësaj partie për përfshirje në aktivitete të dyshuara mafioze të organizatës “Sigurimi i Atdheut”.

PDK-ja i akuzonte ata për kërcënime, vrasje, e krime të cilat ishin të ngjashme me krimet të cilat në vazhdimësi LDK-ja ia linte në derë partisë së komandantëve, siç e cilësonin ata Partinë Demokratike të Kosovës.

Lufta e dy taboreve më të mëdha të asaj kohe kishte eskaluar në atë nivel sa në raportin për Evropë të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, shkruante se tensionet mes tyre rrezikonin të shpërthejnë edhe në vrasje.

Skena politike ishte aq shumë e përçarë dhe situata vetëm sa  përkeqësohej.

PDK-ja po tentonte t’ia zinte LDK-së vendin e të qenurit viktima kryesore politike në Kosovë. Mbi një rol të tillë, LDK-ja duket sikur kishte krijuar monopol sidomos pas disa vrasjeve të aktivistëve të saj, të kryera menjëherë pas luftës e të cilat edhe më tej janë të pazbardhura.

Pavarësisht mungesës së fakteve të provuara nga drejtësia, LDK-ja në vazhdimësi herë direkte herë me rrotull, fajësonte kundërshtarin e vet kryesor politik-PDK-në.

Tërë kjo përplasje po zhvillohej pas zgjedhjeve të vitit 2004, në të cilat PDK nuk arriti të fitojë të drejtën për ta formuar Qeverinë dhe njëri nga komandantët e ish UCK-së, Ramush Haradinaj (i cili kishte pak kohë që kishte themeluar partinë e tij, një bashkë dyzim edhe me disa parti të vogla)  si lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (për habinë e shumëkujt) braktisi atë që njihej si krahu i luftës, për t’iu bashkuar LDK-ës në koalicion dhe vetë mori postin e kryeministrit.

Por PDK nuk po pajtohej të mbetej në opozitë.

***

12 vjet më pas

Më 23 korrik 2017, sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli me një krah dokumentesh të raportit të Auditorit Gjeneral, akuzon për keqpërdorime e korrupsion Lëvizjen Vetëvendosje .

Ai pretendon se kjo parti për dy vjet ka punësuar në Komunën e Prishtinës, 486 njerëz me kontrata të veçanta.

Gjuha që përdorë, është e ngjashme me atë të viteve të para të pasluftës dhe vetë Lëvizjes Vetëvendosje e cila njihet për fjalorin akuzues, të vrazhdë e banal. PDK-ja e cilëson Dardan Molliqajn, ish-sekretar të LVV-së si kryebandit, term që VV-ja e përdorte dhe shpesh e përdorë ndaj figurave kryesore politike të PDK-së.

Shpalosja e “dosjeve” për keqpërdorimet e Vetëvendosjes, pasohet me akuzat për financim të aktiviteteve kriminale të kësaj partie e dyshime për vrasje e kërcënime të udhëhequra nga ish sekretari organizativ Dardan Molliqaj.

Kësaj gjuhe agresive të nisur nga LVV-ja, PDK-ja po i përgjigjet edhe nëpërmjet figurave që gati fare nuk pritej. Blerand Stavileci e  Dhurata Hoxha janë së paku tash për tash dy prej tyre.

Gjuhë të njëjtë e shpesh dhe më të ashpër po përdorë edhe e sapo aderuara në këtë parti, ish gazetarja Arbana Xharra, e cila në fakt pritej të ishte një reformatore e PDK-së. Kështu së paku ajo kishte deklaruar kur iu bashkua partisë që dikur e quante e keqja e këtij vendi.

Më shumë se një dekadë më vonë, PDK synon pozitën e viktimës që lëvizja e Molliqajt me mjeshtri e ka luajtur në zgjedhjet e fundit, e të cilat e nxorën Vetëvendosjen si partinë më të madhe në vend.

Për rastësi,  edhe kjo valë sharjesh e fyerjesh politike, ka filluar pas zgjedhjeve të 11 qershorit në të cilat PDK në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt e Nismën e Fatmir Limajt nuk arritën ti fitojnë votat për ta bërë të vetme Qeverinë.

PDK përsëri nuk po pajtohet të mbetet në opozitë.

Ashtu sikur në vitin 2005, në këtë situatë imitimi i tjetrit është e vetmja gjë që bëhet. Ndërsa në këtë garë politike, siç shkruante në raportin e Grupit ndërkombëtar të Krizave, bëhet pazar me kërcënime e me sulme.

***

Kjo formë e komunikimit politik në Kosovë është përdorur mjaft mirë si strategji për shuarjen e ngadalshme të barrierave ndërpartiake. Fillimisht, duke krijuar përshtypjen e uniformitetit të të gjitha partive politike dhe mungesën e alternativës qeverisëse.

Atëherë kur nuk pritej as nga elektorati e as nga vetë partitë akuzat e ndërsjella mes PDK-së dhe LDK-së i kishin hapë rrugë koalicionit të përbashkët në zgjedhjet e vitit 2007.

Metodë e njëjtë e shuarjes së armiqësive me armiqësi krijohet përshtypja se po ndiqet edhe tani mes PDK-së dhe Vetëvendosjes në rrethana krejtësisht të reja por në një skenë të ngjashme politike me atë të para një dekade.

Vetëm se kësaj radhe të dyja palët kanë nivel më të zhvilluar të demokracisë së brendshme dhe qëndrime autoritare të liderëve, megjithëse jo aq në PDK.

Mos realizimi i pritjeve të strukturave të afërta me kryetarin e partisë në zgjedhjet e fundit, Kadri Veselin, e kanë bërë atë të prekshme nga rreziku nga puçi brenda për brenda.

Në një situatë të tillë, reformat janë të domosdoshme dhe do të shkurtonin kohën e pajtimit mes dy “armiqëve të përbetuar” politik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/rruga-drejt-bashkimit-pdk-vetevendosje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala