Rrëfimi i Lushtakëve

Autori:Zekirja Shabani

f1_kek-tenderi1334216903

Drejtues të kompanisë “Security Code”, të afërt me kryetarin e komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, kanë vendosur të flasin. Për akuzat e ngritura lidhur me dallaveret me tender milionësh në KEK e dyshime tjera të kësaj kompanie për keqpërdorime me ndikim të të parit të Skënderajt, ata po e akuzojnë konkurrentin, kompaninë “Besa Security”. Madje kanë vendosur ta padisin këtë kompani, të cilën sipas një komunikate të lëshuar për media, thonë se po jua sjellë të gjitha të zezat në opinion.

“…kemi vendosur ta padisim kompaninë “Besa Security” e cila e ndihmuar edhe nga oponentët tjerë, pa asnjë fakt dhe pa asnjë bazë ka sulmuar qe 3 vite radhazi kompaninë tonë duke manipuluar opinionin me spekulime dhe gjera të pavërteta”, thuhet në komunikatë.

Në këtë shkresë thuhet se në vazhdimësi, qëllimisht dhe me tendencë është dezinformuar opinioni publik për shumën e tenderit me KEK-un.

“Është thënë qe kompania “Security Code” ka përfituar nga kjo kontratë 7.000.000.00 euro, ndërsa e vërteta është së kompania jonë për dy vite nga kjo kontratë me KEK-un ka marrë fiks 3,981,371 euro”.

Për tenderët e kësaj kompanie në KEK është raportuar në medie se prokuroria po zhvillon hetime.

Në një rast, Gazeta Fjala pati raportuar në detaje se si Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka dhe i tërë menaxhmenti udhëheqës i kësaj kompanie ia kishin dhënë tenderin disa milionësh për sigurim koncorciumit “Security Code/ëDG”. Kompania e parë e lidhur me kryetarin e Skënderajt nga PDK, Sami Lushtaku dhe e dyta e lidhur me kryetarin e Obiliçit, Xhafer Gashi nga AAK-ja.

(http://gazetafjala.com/analiza/hetimet-e-eulex-it-qe-quan-ne-aktakuze-ndaj-gjukes-dhe-te-tjereve-dokumente/)

Megjithatë, në komunikatën e përfaqësuesve të kompanisë “Security Code”, ata përjashtojnë lidhjen me kryetarin e komunës së Skënderajt.

“Po ashtu, jemi sulmuar duke na etiketuar si kompani e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut dhe se gjoja ndikimi i tij na ka ndihmuar qe të fitojmë tender nga KEK-u. Spekulim i pastër dhe i turpshëm për faktin se kompania nuk është e Sami Lushtaku dhe e dyta sepse nuk ka asnjë prove qe ai ka ndikuar në marrjen e këtij tenderi. E vërteta e vetme dhe e pastër në këtë rast është çmimi me i ulët i cili na ka mundësuar të marrim këtë tender”.

Arsye tjetër përse do të ngrissin padi ndaj Kompanisë Besa Security, thuhet se është manipulimi me të dhëna, që “Besa Security” ka qenë me e lirë në këtë tenderë.

“Kjo kompani ka ofertuar për lotin e parë me 4879,76 dhe për lotin e dytë me 3759,94 euro në ditë, ndërsa ne kemi ofertar me 4793,29 për lotin e parë dhe 3751,32 euro për lotin e dytë. Në total kemi qenë me të lirë për 95,09 euro në ditë, apo rreth 70.000 euro me e lirë në total nga e gjithë kontrata 24 muajshe”.

Ndërsa sa i përket aktakuzës së ngritur, thonë se procesi do ta dëshmoj se e gjitha është e ngritur pa asnjë fakt.

“Të gjitha organet kompetente, përfshirë zyrën e prokurimit në KEK, Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik si dhe i gjithë menaxhmenti i kësaj ndërmarrje e kanë vertetuar shumë mirë se tenderi për të cilin është bërë spektakël media ka qenë 100% i pastër dhe janë respektuar të gjitha procedurat ligjore”

Të dhëna:
Kompania “Security Code”, pronë e Milazim Lushtakut dhe Esat Tahirit, është shpallur fituese e tenderit për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut. Vlera e tenderit është 6.879.403.20 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratës së dhënë më 22 dhjetor 2014, është 36 muaj. Pronarët e kompanisë, Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri, janë njerëz të afërm të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Njëri është djali i vëllait të tij dhe tjetri ish-truprojë.

Që të tre janë të akuzuar nga Prokuroria për tenderin e njëjtë që i kishte dhënë KEK-ut dy vjet më parë. Aktakuza është ngritur javën e kaluar dhe përfshin edhe drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, shefin e prokurimit në KEK, Driton Pruthi, dhe ekspertin në OSHP, Azem Duraku. Prokuroria pretendon se tenderi i kaluar mbi gjashtë milionë euro i është dhënë kompanisë me anë të shkeljeve të mëdha ligjore dhe nën presionin e Sami Lushtakut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/rrefimi-i-lushtakeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala