Ringjallja e një industrie

Autori:Gazeta Fjala

biznes

Viti që lamë pas ka qenë një vit emocionesh të përziera kur flitet për industrinë hidrokarbure, nxjerrje dhe prodhim. Fillimi i tij ka qenë ndër më të vështirët, ku u pa që çmimi i naftës bruto në tregje të prekte rekorde historike negative, deri në 27$/Bbl, por më pas duket se gjërat kanë filluar të ecnin për mbarë dhe industria ka filluar të rikuperojë derisa në vigjilje të vitit të ri, çmimi arriti nivelet e 55$/Bbl, çmim i cili po dominon dhe ditët e para të këtij viti.
Industria shqiptare e nxjerrjes, në vazhdën e zhvillimeve globale, përjetoi dhe ajo një vit dinamik duke kaluar nga një situatë e zymtë në fillim të vitit, në një situatë më shpresëdhënëse gjatë gjysmës së dytë dhe sidomos në tremujorin e katërt. Ky ishte viti kur kurba e rënies së prodhimit ceku nivelin e saj minimal, prej nga do të nisë dhe rikthimi i saj. Natyrisht, pasojat e krizës ishin të pashmangshme. Disa qindra vende pune u humbën dhe dhjetëra kontrata shërbimesh dhe furnizimesh u anuluan ose rishikuan. Investimet zbritën në nivele minimale, diçka më shumë se 10 milionë USD në 2016, nga rreth 290 milionë në 2014 dhe 160 milionë në 2015. Niveli kombëtar i prodhimit zbriti për herë të parë që nga 2011 nën nivelin e 1 milion tonëve në vit. Bankers Petroleum pa prodhimin e vet, për të dytin vit radhazi, të performonte një pikiatë në rënie të lirë, kur prodhimi ditor i gjigantit shqiptar humbi gati ¼ e nivelit të tij maksimal të vitit 2014 prej 20.7 mijë barelash në ditë (19.4 mijë barela në ditë në 2015-n), në rreth 15 mijë barela në ditë në 2016-n (priten ende të dhënat e tremujorit të katërt për Bankers).
Në rang global, arritja te çmimi 55$/Bbl (Brent Price) duket se erdhi si pasojë e një situate tregu më të stabilizuar, brenda një trajektore jo aq oscilante sa ç’perceptohej. Një kontribut për këtë situatë stabiliteti ka edhe performanca e ekonomisë botërorë në vitin që lamë pas.
Për të bërë një ekspoze të shkurtër, rritja ekonomike botërore në 2016 pritet të jetë e pandryshuar nga parashikimet, në nivelin e 2.9%. Vendet e OECD kontribuuan në ruajtjen e këtij stabiliteti, për shkak të një tremujori të katërt më “të fortë” sesa parashikimet në SHBA dhe Japoni. Si pasojë, rritja ekonomike në këto vende, për 2016-n, pritet të jetë 1.7%, nga 1.6% që ishte më parë.
Kina u rrit në nivelin e 6.7%, ndërsa India në nivelin e 7.5%.
Kjo situatë ka dhënë reflektimet e saj dhe në kërkesën për naftë bruto në rang global, ku rritja e saj e rishikuar kapi nivelin e 1.24 milionë barelave në ditë (MB/D) më lart nga ç’ishte parashikuar më herët, duke u stacionuar në nivelin mesatar prej 94.41MB/D për 2016-n, nga të cilat 31.9MB/D erdhën nga vendet e OPEC.

Parashikimi për 2017

Në rang global, 2017-a perceptohet si viti më pozitiv ndër gjithë vitet e pasigurt. Trajektorja pozitive duket se do të vazhdojë, gjithsesi dhe kjo nuk është fort e sigurt.
Faktorët kryesorë që do të përcaktojnë kursin që do të ndjekë industria dhe ku bazohet analiza e riskut janë tre; faktori politik, faktori ekonomik dhe faktori industrial.
-Faktori politik, kryefjalën e tij, ka zbatimin e marrëveshjes për reduktimin e prodhimit që vendet prodhuese të naftës ranë dakord në fund të vitit që kaloi. Marrëveshja hyri në fuqi më 1 janar 2017 dhe parashikon që vendet kryesore prodhuese të naftës, OPEC dhe jo-OPEC, të reduktojnë prodhimin e tyre në një total prej 1.8 milionë fuçi në ditë. Deri më tani duket se kjo marrëveshje do të zbatohet. Kuvajti njoftoi klientët e vet zyrtarisht për nismën për reduktimin e prodhimit dhe kurbën e re të furnizimeve. Arabia Saudite, në kuadrin e marrëveshjes, njoftoi për rritjen arbitrare të çmimit të naftës së vet që ajo do të tregtojë në vitin 2017. Të njëjtën gjë po e aplikojnë dhe furnizuesit amerikanë. Njëkohësisht dhe vendet e tjera janë duke marrë masat e nevojshme në kuadër të marrëveshjes.
Me gjithë sinjalet pozitive, zbatimi i marrëveshjes mbetet në nivele të larta pasigurie. Aktualisht, situata është e ngjashme me një akrobat që është duke ecur mbi litar me shkop. Mjafton shumë pak për ta rrëzuar.
Pavarësisht entuziazmit të ecurisë së deritanishme, të gjithë kanë drejtuar një sy nga Rusia dhe Iraku, të cilët kanë përcaktuar që të nisin përmbushjen e angazhimit të tyre në fund të tremujorit të parë. Verbalisht të dyja vendet kanë pranuar respektimin e marrëveshjes, por gjithsesi siguria absolute fitohet në momentin që fjalët kthehen në vepra.
Një element tjetër brenda faktorit politik është dhe qasja e administratës së re amerikane ndaj industrisë.
Notat mazhor me të cilat Presidenti i zgjedhur Trump mbështeti industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës gjatë fushatës elektorale, duket se kanë qenë jo thjesht për efekte elektorale. Zgjedhja e Rex Tillerson në pozicionin e Sekretarit të Shtetit u vlerësua si një shprehje mbështetjeje e pastër ndaj këtyre industrive. Kjo atmosferë krijon njëfarë sigurie brenda radhëve që, të paktën, industria nuk do të përjetojë drama me rikthime krizash të forta në të ardhmen e afërt.
Nga krahu tjetër, sjellja e tregjeve në këto kohë para-inaugurimi (indekset kryesore amerikane kanë përjetuar rritje në nivel 10% që nga dita e shpalljes së fitores së Donald Trump) tregon që biznesi parashikon marrëdhënie ndërkombëtare politike më të relaksuara gjatë administratës Trump. Agravimi i marrëdhënieve me Rusinë duket se do të shfryhet menjëherë sapo z. Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Tashmë që edhe situata në Siri po shkon drejt një zgjidhjeje, duket se pikëndarjet politike dhe frontet ideologjike mes Lindjes dhe Perëndimit do të jenë në tone të ulëta. E gjithë kjo pritet që t’u sigurojë tregjeve një mjedis miqësor dhe të stabilizuar politik, ku marrëdhëniet tregtare do të jenë në plan të parë.
-Faktori ekonomik, ndonëse jo në të njëjtin nivel rëndësie sa faktori politik, do të ketë peshën e vet në zhvillimet e industrisë së naftës që do të përcaktojnë dhe ecurinë e çmimit gjatë vitit 2017.
Elementi kryesor që mbart valencën e riskut është ecuria e dollarit amerikan. Ndërsa sjellja politike e administratës Trump duket se do të jetë e orientuar drejt marrëdhënieve jokonfliktuale me rivalët, në planin ekonomik ajo parashikohet të jetë më e nxehtë. Që prej fitores së z. Trump, për shkak të vizionit ekonomik që ai kishte proklamuar më herët gjatë fushatës, dollari amerikan ka njohur vetëm rritje krahasuar me të gjitha monedhat e tjera kardinale. Dhe kjo rritje pritet që të vazhdojë, pasi tregjet kanë besim se z. Trump do t’iu qëndrojë besnik premtimeve të tij, si për stimujt fiskalë në drejtim të uljes së taksave, uljes së nivelit të revizionit dhe rregullimit shtetëror mbi korporatat, rritjes së investimeve në infrastrukturë, ashtu edhe për kthimin e vendeve të punës nga jashtë vendit.
Edhe në planin e politikës monetare, duket se erërat po fryjnë drejt një vëmendje më të madhe ndaj inflacionit. Nota e fundit e publikuar tregon që FED ka ngritur flamurin e verdhë dhe paralajmërojnë që tashmë, pas publikimit të indeksit të fundit të papunësisë prej 4.6%, si volumi i aktivitetit ekonomik dhe inflacioni mund të tejkalojnë parashikimet e rregullatorëve. Axhendës së përcaktuar më herët nga FED për rishikimin vetëm në dy raste të normës së interesit të dollarit për vitin 2017, duket se do t’i shtohet dhe një herë e tretë. E gjitha kjo paralajmëron një forcim edhe më tej të dollarit në krahasim me monedhat e tjera, çka do të ndikojë në axhustimin e rritjes së çmimit të naftës.
Element tjetër brenda faktorit ekonomik është dhe ecuria e ekonomisë botërore në 2017, e cila përcakton dhe nivelin e kërkesës për produkte energjetike. Parashikimet për rritjen ekonomike botërore për 2017 mbeten të pandryshuara në nivelin e 3.1%.
Europa duket se është rikuperuar plotësisht dhe të dhënat e fundit që tregojnë një indeks inflacioni në nivelet e 1.1% janë shpresëdhënëse që në 2017-n, Europa do të hyjë në një trajektore më të stabilizuar rritjeje ekonomike.
Po ashtu, 2017 është viti kur Rusia dhe Brazili do t’i kthehen rritjes pozitive ekonomike, pas dy viteve në recesion, përkatësisht +0.8% dhe +0.4%.
Në këtë aspekt, shqetësimi kryesor mbetet Kina dhe sa do të preket ajo nga agresiviteti i politikës monetare amerikane. Ruajtja e padëmtuar e Juanit duket se do të jetë sfida e madhe e qeverisë kineze, me qëllim mbajtjen e rritjes ekonomike në nivelin e 6.2% në 2017. Gjithsesi, në këtë drejtim, situata vlerësohet me një risk të lartë.
-Faktori industrial është ndoshta ai që ka relativisht peshën më të ulët në këtë model. Në 2017-n, bazuar në parashikimet e OPEC-ut, kërkesa për naftë pritet të rritet me 1.15 MB/D, për të shkuar në nivelin e 95.56 MB/D. Nisur nga fakti që 2017 do të jetë dhe viti i rikthimit të çmimeve të liberalizuara të naftës, pritet që shumë nga kompanitë e “shale”, kryesisht në Amerikën e Veriut, që kishin ndërprerë aktivitetin për shkak të çmimeve të ulëta, të rinisin nga prodhimi. Kontributi i tyre në rritjen e ofertës furnizuese, pritet të jetë diku tek 0.15 MB/D. Bazuar në sa më sipër, bazuar dhe në të dhënat që vijnë nga simulimet e ndryshme të modeluara sipas skenarëve, duket se çmimi i naftës në vitin 2017 do të njohë një rritje që mund të shkojë në nivelet e 65$/Bbl dhe rikthimin e industrisë në një nivel optimal stabiliteti.

Parashikimi i ecurisë së industrisë nxjerrëse për 2017 në Shqipëri

Viti 2017 pritet që të jetë viti i rikthimit të industrisë në kurs rikuperimi. Investimet pritet të rikthehen në nivelet e 2015-s. Praktikisht, parashikohen të shpohen rreth 85 puse të reja (75 Bankers dhe 10 Transoil), me një vlerë prej 170 milionë USD. Gjithashtu janë parashikuar dhe investime të tjera dytësore në infrastrukturë dhe depozitim.
Natyrisht që niveli i prodhimit, në parashikimet e para, pritet të jetë në nivele të ulëta. Efektivisht, në nivel kombëtar, pritet që në 2017 të nxirren nga toka rreth 900 mijë tonë naftë (5.6 milionë barela).
Faktori kryesor i riskut në vend për 2017-n është sjellja e administratës shtetërore. Pas dështimit të arbitrazhit ndaj Bankers Petroleum, ka një shqetësim të perceptuar që marrëdhënia mes administratës dhe operatorëve të industrisë do të vijë duke u përkeqësuar. Kjo bazohet dhe në faktin që abuzimi nga ana e organeve shtetërore mbi rregullat e përbashkëta të lojës mes tyre dhe operatorëve, ka ardhur sistematikisht në rritje. Kështu që operatorët janë shumë sensibël ndaj çdo oscilacioni sado të vogël në humorin politik. Dhe dy janë elementet që aktualisht klasifikohen me valencë të lartë risku.
-Afrimi i zgjedhjeve politike dhe kushti i FMN për të kompensuar buxhetin me shumën 100 milionë USD që u përdor për shpërblimet e fundvitit, rritjen e pagave dhe pensioneve.
Natyrisht afrimi i zgjedhjeve është gjithmonë një moment stresi, pasi në të tilla momente, presioni fiskal dhe politik mbi industrinë është shumë i madh. Dhe në këtë vit, pritshmëritë janë që presioni të jetë shumë i madh dhe kjo mund të dëmtojë realizimin e programeve që operatorët janë angazhuar për të realizuar.
-Kushti i FMN për të plotësuar në buxhet fondin e përdorur për rritjen e pagave dhe pensioneve, si kusht për dhënien e OK për to, duket se do të peshojë në një pjesë të konsiderueshme në kurriz të kompanive nxjerrëse të naftës. Duke qenë më e përmbledhur dhe me nivele të larta qarkullimi, operatorët e industrisë nxjerrëse janë parë gjithmonë si rruga e shkurtër për çdo impenjim/emergjencë fiskale që mund të ketë qeveria. Dhe në këtë rast, ekziston risku që rivlerësime të ndryshme fiskale, apo gjoba të ndryshme qoftë edhe pa të drejtë, do të rëndojnë mbi operatorët e industrisë, me qëllim përmbushjen e obligimit. Kjo pasi, siç ndodh rëndom, shpesh gjobat apo rivlerësimet vendosen në dijeni të plotë që janë të padrejta, vetëm për të shfrytëzuar klauzolat ligjore që lejojnë shtetin të kërkojë disbursim fondesh dhe të plotësojë përkohësisht angazhimin fiskal në buxhet, duke i lënë kompanitë në kalvarin e gjatë të seancave gjyqësore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ringjallja-e-nje-industrie/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala