Rikthehen hajnat e veturave

Autori:Gazeta Fjala

hajni-1

Kohët e fundit qytetarët e Kosovës kanë filluar të shqetësohen për rastet e shpeshta të vjedhjes së veturave. Policia e Kosovës thotë se janë të angazhuar për të mbrojtur pronën e qytetarëve. Sipas statistikave të Policisë, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë vjedhur 119 vetura, 34 prej tyre është arritur t’u kthehen pronarëve, ndërkaq janë arrestuar 18 persona.

Një person në Prishtinë e parkoi veturën e tij në vendparkimin e zakonshëm pranë banesës ku jeton. Ai u ngjit lart në banesë, por i ndodhi diçka që në fakt e kishte paramenduar. Gjatë orëve të vona të natës, vetura e tij u sulmua nga hajnat.

Veturës së markës Volkswagen, iu thye dera dhe pajisja ku futet çelësi për të ndezur makinën. Hajnat u munduan ta ndezin nëpërmjet telave, por nuk arritën. Vetura shpëtoi, ndonëse me disa dëmtime, për shkak që pronari i saj ia kishte vendosur një të ashtuquajtur bllokadë, e cila zakonisht vendoset në ndonjë vend të fshehtë brenda veturës.

Rastet e tilla janë shpeshtuar sidomos ditëve të fundit. Cak i hajnave janë veturat e reja, por nuk dihet mënyra sesi po arrijnë t’i hapin. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, janë vjedhur 119 vetura. 34 prej tyre është arritur t’u kthehen pronarëve të tyre, ndërkaq janë arrestuar 18 persona.

Policia e Kosovës thotë se janë të angazhuar që të mbrojnë pronën e qytetarëve, pasi për këtë janë të autorizuar dhe përgjegjës me Ligjin për Policinë.

“Policia përmes njësisë se autokrimeve ka realizuar disa operacione në funksion të identifikimit të rasteve të veturave të vjedhura inicimin e procedurave ligjore për kryesit, si dhe kthimin e veturave tek pronaret legjitim”, thuhet në një përgjigje të PK-së, për lajmi.net

Në statistikat janar-qershor të Policisë, janë të evidentuara edhe vjedhje të tjera, si dhe falsifikim i veturave. “Falsifikim – legalizim i përmbajtjes së pa vërtet”, janë kapur 230 vetura. Vetura të vjedhur nga jashtë Kosovës, janë 12 sosh, dhe vetëm një nga to është arritur t’i kthehet pronarit.

Policia e konfirmon se ka disa raste që veturat e vjedhura janë shitur për pjesë në punëtori nëpër Kosovë.

“Gjithashtu janë evidentuar disa raste që janë bastisur disa vend punime, punëtori të veturave që ku janë gjetur pjesë të veturave të cilat kanë qenë të raportuara të vjedhura, pra kemi zbuluar raste ku të dyshuarit i kanë vjedhur veturat dhe i kanë shitur për pjesë në këto vend punime”, deklaron Zyra për Informim e Policisë.

Policia thotë se ua ka bërë me dije këtyre punëtorive se blerja e sendeve të vjedhura është e ndaluar me ligj, dhe zotohet se ndaj secilit person që do të haset duke kryer veprime të tilla, do të ndërmerren masa ligjore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/rikthehen-hajnat-e-veturave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala