QKUK-ja s’ka barna për 1 mijë pacietët me epilepsi

Autori:Gazeta Fjala

qkuk-1507213159-2681675_1518687608-2840745

Numri i personave të prekur me sëmundjen e epilepsisë në Kosovë, nga viti në vit po shënon rritje. Bazuar në të dhënat e Klinikës Neurokirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë rreth 1200 pacientë, të cilët për një vit kërkojnë shërbime mjekësore për sëmundjen e epilepsisë. Për të njëjtit në QKUK mungojnë barnat, madje edhe ato të listës esenciale

Vuajnë nga sëmundja e epilepsisë, por mijëra pacientë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk po arrijnë të marrin trajtimin e duhur mjekësor në këtë institut shëndetësor. Kjo ngase aty mungojnë edhe barnat e listës esenciale. E janë më shumë se 1 mijë e 200 pacientë që në vit marrin trajtimin në Klinikën Neurologjike të QKUK-së.

Gazeta Express, të mërkurën, ka biseduar me drejtorin e Neurologjisë, Nexhmedin Shala. Ai shpjegoi se sa i përket kësaj sëmundjeje, ka shumë probleme në trajtimin e saj.

“Epilepsia është një sëmundje që në popullatën tonë është e pranishme sikurse në vendet e rajonit. Në përqindje nuk dallojmë shumë me vendet e rajonit sa u përket të prekurve me epilepsi. Të gjithë të prekurit me epilepsi, që kërkojnë ndihmë mjekësore, trajtohen mirë”, ka thënë Shala.

Megjithëse, ai ka deklaruar se sfidë mbetet furnizimi me barna për këtë sëmundje. Në klinikën që ai drejton mungojnë edhe barnat nga lista esenciale të cilat janë të dedikuara për këtë punë. Të njëjtat familjarët detyrohen t’i blejnë vetë në farmacitë private.

“Rreth kësaj pune, vështirësitë janë të natyrave tjera, si lista me barna që mungojnë. Kështu pacientët detyrohen t’i blejnë vetë ato, pasi që këto ilaçe gjenden në tregun farmaceutik”, tha Shala.

Pos barnave, kjo klinikë, sipas neurologut Nexhmedin Shala, përballet edhe me mungesë të trajtimit kirurgjikal për të sëmurët me epilepsi. Shala thotë se sfidë mbetet mungesa e profesionistëve për këtë punë.

“Shërbimet kirurgjikale, sidomos te ne janë të mangëta, jo pse nuk kemi aparaturë, por për që s’kemi edukim të mirëfilltë të profesionistëve për këtë çështje”, ka thënë Shala.

Ndërkohë, rreth çështjes së të sëmurëve me epilepsi së fundmi ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky koalicion shpreh shqetësimet se fëmijët që bartin këtë sëmundje paragjykohen dhe diskriminohen nga shoqëria. KOMF thotë se duhen profesionistë të duhur për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Fëmijët me epilepsi që jetojnë në familje me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme, për arsye të vështirësive financiare nuk mund të marrin trajtimin që u nevojitet. KOMF-i rekomandon që Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë veprime për një furnizim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave në SHSKUK, për të garantuar se fëmijët do të marrin trajtimin e duhur dhe që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Sidoqoftë, për rastet epileptike të cilat nuk gjejnë trajtim mjekësor në Kosovë, kryesisht referohen për mjekim jashtë vendit.

Epilepsia është një çrregullim nervor i manifestuar me ngërçe të përsëritura të muskujve dhe ndryshim të vetëdijes, që prek njerëzit e të gjitha moshave, në veçanti fëmijët./GazetaExpress/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/qkuk-ja-ska-barna-per-1-mije-pacietet-me-epilepsi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala