Qeveria: Taksa nuk hiqet, Thaçi ka dhënë deklaratë politike

Autori:Gazeta Fjala

Deklarata e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për shqyrtimin e heqjes së tarifave ndaj Serbisë për të arritur një marrëveshje përfundimtare të paqes ka nxitur reagime të shumta.

Thaçi po konsiderohet t’i ketë përzier kompetencat që i takojnë me një thirrje të tillë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë shprehur të habitur me reagimin e kreut të vendit. Madje ata kanë thënë se për të njëjtin qëndrim presidenti nuk është konsultuar fare me Qeverinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina, por një veprim të tillë po e konsiderojnë si të pamundur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka treguar se presidentit nuk i lejohet të marrë këtë vendim përderisa i njëjti mund të hiqet vetëm në rast se vendos Qeveria.

“Sikur vendosja e taksës edhe heqja e saj i ka disa procedura ligjore. Secili institucion i ka kompetencat e ndara. Presidenti ka dhënë një deklaratë politike. Nuk e di a për konsum, a për t’i hyrë në qejf Serbisë ose Kosovës. Për t’u hequr taksa duhet një procedurë, dikush t’i propozojë Qeverisë”, ka sqaruar Shatri.

Shatri ka shtuar se taksa nuk do të hiqet derisa të plotësohen kushtet që Qeveria mendon se duhet plotësuar për ta larguar taksën.

“Kjo i bie që Serbia të sillet korrekt, të na njohë si shtet. Pastaj mund të bëjmë tregti, qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve në bazë të parimeve ndërkombëtare dhe reciprocitetit. Përndryshe nuk hiqet derisa Serbia na shkel sovranitetin çdo ditë.”, ka theksuar këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Qëndrime të ngjashme sikur kryeministri shfaqi para disa ditësh edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Shala publikisht u zotua se taksa nuk do të hiqet, duke shtuar se Qeveria i ka pasur arsyet e veta kur ka vendosur taksën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/qeveria-taksa-nuk-hiqet-thaci-ka-dhene-deklarate-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala