Qeveria ‘”bllokon” kompensimin për ish pronarët

Autori:Gazeta Fjala

prona

Teksa nevojat për kompensimin e ish pronarëve janë shumë më të larta në krahasim me fondet buxhetore në dispozicion sërish qeveria nuk arrin tëalokojë në drejtim të kësaj shtresë edhe sasitë e programuara nëbuxhetet vjetore.

Sipas të dhënave fiskale paraprake të Ministrisë së Financave në vitin 2016 ish/pronarët morën 1.5 miliardë lekë si kompensim nga fondet buxhetore nga 3.6 miliardë të tilla që ishin programuar, duke u realizuar në vetëm 41 për qind të planifikimit. Nga fondet për kompensimine  i ish-pronarëve kanë tepruar 2,1 miliardë lekë ose 15 milionë euro të cilat kanë shkuar për uljen e deficitit buxhetor.

Megjithëse ligji i ri ‘Për trajtimin e pronës’ nuk ka një faturë financiare se sa kushton kompensimi, qeveria në mënyrë indirekte thotë se do të mbyllë procesin e kompensimit në 10 vitet në vijim, me një faturë të përgjithshme të kompensimit që është 50 miliardë lekë.

Ligji i ri që hyri në fuqi vitin e kaluar e zhvlerëson faturën e kompensimit me gati 7 herë sipas shembujve tipikë në zonën e Tiranës. Por shoqatat e ish-pronarëve pretendojnë se duke përllogaritur si kompensim të tokës truall kadastrën e vitit 1944, fatura e kompensimit zhvlerësohet shumëfish.

Qeveria, nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit dhe Kompensimit të Pronës, ka vendosur të kompensojë ish-pronarët me një shumë prej 50 miliardë lekësh, ose 370 milionë euro, deri në vitin 2025.

Deri në vitin 2020, shuma vjetore që do të akordohet nga buxheti i shtetit nuk do të jetë 3-45 miliardë lekë në vit, ndërsa pas këtij viti, deri në 2025, fondi vjetor është parashikuar të rritet gradualisht vit pas viti për të arritur në vitin e 10 të kompensimit që i takon 2025 në 7.6 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka njohur për efekte kompensimi mbi 80 mijë hektarë tokë truall. Me ligjin e ri, ku referenca do të jetë sipërfaqja truall në vitin 1944, toka truall për kompensim nuk është më shumë se 5-7 mijë hektarë në të gjithë vendin. Reduktimi me këtë përmasë i kompensimit të tokës truall e redukton faturën në mënyrë drastike.

Shtetëzimi i pasurive të paluajtshme nga reforma agrare e viteve 1950-1960 nuk qe asgjë para ndarjes për frymë të tokës bujqësore dhe fragmentarizmit në 3 milionë pasuri që bëri qeverisja demokratike në vitin 1991 me ligjin 7501.

Toka bujqësore e dhënë në përdorim ka krijuar 500 mijë pronarë të rinj në kurriz të pronarëve realë, sot nuk mund të zhbëhet më. Qeveria ka nisur procedurat për të bërë pronarë përdoruesit e 7501, ndërkohë zhvillimi i bujqësisë, turizmit, investimeve private do të mbeten përjetësisht peng i këtij zhvillimi të çorganizuar gati me dashje në ndarjen e pronësisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/qeveria-bllokon-kompensimin-per-ish-pronaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala