Qemajl Koca: Ma tmerruan familjen duke thënë se unë e vrava Ermalin (Video)

Autori:Gazeta Fjala

qemajl

Mos efikasiteti i policisë për ta kapur vrasësin e Ermal Kamberajt dhe mos publikimi i identitetit të tij për 24 orë, kishe bërë që përmes rrjeteve sociale në Mitrovicë si doras të etiketohej një person krejt i pafajshëm në këtë rast.

Fjala është për Qemajl Kocën, i cili në natën kritike – sikurse edhe 400 persona të tjerë – kishte qëlluar të jetë mysafir në lokalin ku ndodhi vrasja. Në një rrëfim për Veriu.info, ai thotë se dikush në rrjete sociale kishte përhapur lajmin se ai është dorasi, çka e kishte bërë të ndjehej keq dhe kishte shkaktuar panik të ai dhe familja e tij.

“S’kam të bëjë me këtë punë. Ju lutem të gjithëve ta zbulojnë se kush ka thënë për mua ashtu dhe pse”, thotë ai.

“Jam dalë në qytet dhe kam ardhur në protestë; krejt njerëzit t’u më këqyrë. Nesër më shkon djali në shkollë e thonë: shihe, djali i vrasësit. Ma kanë tmerrua familjen. “.

Koca thotë se nuk e ka parë personin që e ka vrarë Ermal Kamberajn.

“Të shtënat i kam dëgjua, por nuk kam parë kush e ka vrarë. Ka pasë shumë njerëz, por janë shpërnda. Unë isha te pjesa VIP, e kur kam zbrit poshtë e kam parë Ermalin të shtrirë në tokë. Nuk iu kam afruar, sepse kurrkush nuk iu afronte. Jena dalë tanë prej lokalit e më asgjë nuk kam ditë. Të nesërmen, si jam zgjuar e kam dalë në qytet, krejt njerëzit më shikonin. Shokët ku më thoshin: ‘Qemë, po thojnë për ty’!”, rrëfen ai.

Ndryshe, mbrëmë mediat e kanë publikuar një dokument të brendshëm të Policisë së Kosovës, ku bëhej e ditur se i dyshuar për vrasjen e Ermal Kamberajt është Sadik Bajrami nga Shipoli i Mitrovicës i cili ende ndodhet në arrati. /Veriu/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/qemajl-koca-ma-tmerruan-familjen-duke-thene-se-une-e-vrava-ermalin-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala