“Punëtorët” e AL-Petrol edhe në MTI

Autori:Zekirja Shabani

Al Petrol

Ende pa i mbërritur zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë nga laboratori analizat për cilësi dhe saktësi të karburanteve në pikën e shitjes së kompanisë “Al-Petrol”, e cila dyshohet për mashtrim të konsumatorëve në litra, ato u kanë shkuar udhëheqësve të kompanisë në tavolinë.

Këshilltarja për Medie në MTI, Vjollca Dibra ka bërë të ditur se askush nga kjo ministri nuk ia ka dërguar këto dokumente zyrtarëve të kësaj kompanie. Por mbetet e pa qartë se si kanë shkuar në dorë të tyre ato, të cilat do të duhej të ishin dërguar vetëm te pala ankuese.

Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se Inspektorati i Tregut duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe mbështetur në planin vjetor për vitin 2015, në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, ka bërë verifikimin e vazhdueshëm të aparateve/mjeteve  rrjedhëse të karburanteve të lëngta të naftës duke përfshirë edhe  Kompaninë “Al Petrol”.

“Gjithashtu në rastet kur kemi ankesë nga ana e konsumatorëve apo palët e tjera, inspektorati i tregut vepron menjëherë”, thotë Dibra, e cila tregon se deri më tani nuk kanë arritur ti vërtetojnë ankesat e konsumatorëve.

Dokumentet, të cilat prezantojnë se pretendimet e qytetarit Afrim Islami pronar i auto-shkollës “Abis” nga Prishtina ka paguar më shumë litra nafte se që i zë rezervuari i veturës së tij në piken e shitjes së “Al Petrol” në Dragodan, me datën 23 të këtij muaji, nuk kanë qenë të sakta, i janë dërguar Gazetës Fjala nga zyrtarët e kompanisë para se ato të konfirmoheshin nga MTI, si reagim ndaj pretendimeve të faktuara me faturë të furnizimit, për vjedhje në litra.

Dibra tregon së këtë gjatë këtij viti Inspektorati i tregut ka pranuar gjashtë ankesa nga ana e konsumatorëve, të cilave u është kushtuar prioritet shqyrtimi, por të gjitha rastet kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Njëjtë ka rezultuar edhe me rastin e Afrim Islamit.

“Inspektorati i tregut, pas informimit nga ana e juaj, menjëherë është shqyrtuar ky rast në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës dhe rezultati zyrtar është brenda kufijve të lejuar”, ka thënë Dibra.

Gazeta Fjala ka raportuar ditë më parë se si një qytetar është ankuar se i janë vjedhur dhjetëra litra naftë Kompania e derivateve “Al Petrol”.

Afrim Islami pronar i auto-shkollës “Abis” ka treguar për gazetën Fjala se me datën 23 të këtij muaji në piken e shitjes së “Al Petrol” në Dragodan, ka paguar më shumë litra nafte se që i zë rezervuari i veturës së tij.

“Vetura ka pas naftë. Unë i kam thanë ta mbushin plotë rezervuarin. Edhe mos me pas asnjë pikë naftë, golfi 6, nuk zë më shumë se 55 litra. Kjo është e dokumentuar dhe në librezë të automjetet. Mirëpo, unë në këtë pompë kam paguar mbi 58 litra naftë, në vlerë prej 59 euro e 94 cent. Kjo dëshmon se ata mi kanë plaçkitur më shumë se 10 litra, pasi kerri ka pasur naftë në rezervuar”, pati thënë Islami.

Rriten ankesat për mashtrim me litra

Pavarësisht se përfaqësuesit e kompanisë dhe zyrtarët e ministrisë e mohojnë që ka vjedhje në sasi gjatë furnizimit të qytetarëve, numri i ankesave të atyre që personalisht kanë hasur në raste të tilla të adresuara në redaksinë e Gazetës Fjala është mjaft i madh.

Ngjashëm i ka ndodhur edhe Fadil Mustafës nga Obrija, që jeton në Skenderaj. Ai  ka pasur një rast të hidhur me kompaninë “Al Petrol” para afro katër muajve, kur ishte ballafaquar me menaxher të kësaj kompanie dhe Policinë e Kosovës.

Krejt kjo siç thotë ai ti ketë ndodhur pasi ka dyshar se ishte plaqkitur në sasi të naftës derisa ishte duke u furnizuar në pikën e Al Petrol në Shipol.

“U ndala me mush veturen me naftë. Ne rezervarë kam pas një sasi, dhe thash ta mbushi plote. Ku me mbush plote u dashke me ja qit edhe 50 litra. Por kur ma mubushën ata mi zuni 57 litra. Dola nga kerri dhe ju thash qe kjo nuk është në rregull. Ju tregova që më shumë se 50 litra nuk ka mundesi mi zanë. Ja nisa me u përplas me ta. Ju tash qe nuk e paguaj”, tregon Mustafa.

Me këtë rast ai thotë se ka lajmëruar policinë.

“Ata erdhën, folen qaty e nuk bënë kurgjë. Më thanë paguaj 50 litra e ec. S’ke nevojë me ba zhurmë ma shumë. Unë thirra edhe në MTI. Më thanë që sot nuk mujna me ba kurgja, veç naj ditë tjetër. Pasi nejta nja dy orë dhe e pash që ska naj lëvizje a najsen i pagujta 50 litra dhe eca” thotë ai.

Mustafa, është i bindur se e ka mësur edhe mënyrën e plaqkitjes. Nga ky rast e ka ndryshuar edhe mënyrën e furnizimit me naftë.

“Tash i blejë veç nga 20 litra. Jam i bindur se deri në këtë sasi ata nuk plaçkitin. Si ta kalon këtë sasi ata e lëshojnë mënyrën që kanë për ti vjedh qytetarët. Unë tash veç  kështu furnizohem dhe nuk jam duke pasur dyshime më për vjedhe. Të paktën edhe në veture po e vërejë” thotë Mustafa.

Dokumentet të cilat i ka dërguar kompania “Al-Petrol”, nw redaksinë e Gazetës Fjala:

1 2 3 4

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/punetoret-e-al-petrol-edhe-ne-mti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala