Pse kosovarët janë të varfër?

Autori:Gazeta Fjala

varferia

Me 1 euro e 30 cent e nisin ditën shumë kosovarë. Me më pak se dy euro edhe e përfundojnë atë. Kaq është standardi i jetesës për kosovarët që jetojnë në varfëri ekstreme, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 17.6 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme me nga 1.30 euro në ditë.

E arsyet që po e shkaktojnë varfërinë në vend po del të jenë papunësia, mungesa e pjesëmarrjes në aktivitete zhvillimore e prezenca e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, jo vetëm.

Problem tjetër që ndikon në varfëri po del të jetë edhe mungesa e edukimit dhe pabarazia gjinore, shkruan Gazeta Fjala.

Më shumë se 65% e kosovarëve konsiderojnë se problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet sot Kosova lidhen me kushtet socio-ekonomike. Kështu ka deklaruar Atdhe Hetemi nga UNDP-ja për Gazetën Fjala.

“Gjërat janë të ndërlidhura andaj prezenca e varfërisë vjen si rezultat i mungesës së zhvillimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, ka thënë Hetemi për Gazetën Fjala.

Hetemi thotë se kur të dhënat janë analizuar në baza gjinore përqindja e femrave që e konsiderojnë papunësinë dhe varfërinë si problemin më të madh është më e lartë se sa përqindja e meshkujve.

Ndërsa në baza rajonale papunësia po shihet si problem i madh më së shumti nga qytetarët e Pejës, pastaj Gjakovës dhe Mitrovicës.

Por, për ta luftuar varfërinë sipas zyrtarëve të UNDP-së duhet të bëhet implementimi i politikave zhvillimore dhe kthimi i besimit të qytetarëve. Hetemi thotë se gjetjet tregojnë se shumica e kosovarëve mbeten skeptikë në lidhje me punësimin e bazuar në merita në sektorin publik.

Madje, shumica e tyre besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, aleancat partiake dhe faktorët e tjerë jo meritorë janë më të dobishmit për punësim në sektorin publik.

“Në përgjithësi, perceptimet mbi mundësitë e punësimit të bazuar në meritë mbeten në nivele të ulëta për sektorin privat dhe atë publik. Gjithashtu vlen te theksohet se shkalla e papunësisë është me e larte tek femrat dhe tek te rinjte!”, thuhet më tej në përgjigjet e UNDP-së drejtuar gazetës.(Arjeta Shabani)./Gazeta Fjala.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pse-kosovaret-jane-te-varfer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala