Protokolli i Shtetit nesër e vendos flamurin e Kosovës te Rrethi

Autori:Gazeta Fjala

kosova-republike_1518428870-2708538

Departamenti i Protokollit të Shtetit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nesër do ta vendosë flamurin e Republikës së Kosovës te Rrethi. Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka bërë me dije për Gazetën Express se flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë përkrah atij kombëtar pasi të vendoset edhe një shtizë

Flamuri i Republikës së Kosovës ishte vendosur te Rrethi i Spitalit nga Komuna e Prishtinës që udhëhiqej nga Isa Mustafa, por atë e kishin hequr aktivistë të VV-së, më saktësisht Sali Zyba, që më vonë kishte shërbyer drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, këto ditë është përballur me presion publik për vendosjen e flamurit, por ai e kishte hequr përgjegjësinë nga vetja duke thënë se me një gjë të tillë duhet të merret kryeministri.

Por, tani duket se kjo çështje do të zgjidhet ndryshe. Me këtë çështje do të merret Departamenti i Protokollit të Shtetit, që mbulon çështje të tilla dhe është përgjegjës për organizimin e ceremonialeve shtetërore. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Konform Ligjit nr 03/L-132, është kërkuar nga Protokolli i Shtetit ta zbatojë ligjin sipas kompetencave të tij dhe të bëjë vendosjen e flamurit shtetëror me rastin e festës shtetërore. Pra do të vendoset edhe një shtizë te rrethi kryesor i Prishtinës, me parametra adekuate”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Gazetën Express.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/protokolli-i-shtetit-neser-e-vendos-flamurin-e-kosoves-te-rrethi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala