Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 32 personave për terrorizëm

Autori:Zekirja Shabani

terrorizem

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur të enjten aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër 32 të pandehurve për veprat penale: “Rekrutimi për terrorizëm”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Prej tyre  27 persona akuzohen për veprën penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”,  nga neni 143 par.2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e disa prej tyre edhe për veprën penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; 2 persona akuzohen për veprën penale: “Rekrutimi për terrorizëm” nga neni 139 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës; kurse 3 persona akuzohen për veprën penale: “Mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se iu kanë bashkangjitur për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ISIS, disa të tjerë kanë bërë ftesë për qytetarë për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për të dërguar në luftën e Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat e lartcekura terroriste të shpallura nga OKB-ja.

Më 9 gusht të vitit 2014 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marr aktvendim për fillim të hetimeve kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë u patën arrestuar mbi 40 persona.  Nga ky grup 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ende gjenden në arrati.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/prokuroria-speciale-ka-ngritur-aktakuze-kunder-32-personave-per-terrorizem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala