Prishtinasit pritet të kenë në pronësi prona publike për 99 vjet

Autori:Gazeta Fjala

prishtina

Prishtinasit që po shfrytëzojnë prona publike, pritet që ato t’i marrin në shfrytëzim për 99 vjet. Në lagjet e Prishtinës, e veçanërisht në “Kodrën e Trimave”, ka shumë prona të Komunës së Prishtinës, të cilat shfrytëzohen nga qytetarë të asaj pjese për më shumë se tri dekada.

E tash, Komuna e Prishtinës, sipas disa burimeve të Koha.net, është duke planifikuar që këto prona t’ua japë në shfrytëzim për 99 vjet qytetarëve, duke i lënë të lirë edhe trashëgimin e pronës.

Lajmin për Koha.net e ka konfirmuar edhe drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj. Ai ka thënë se këto prona janë objekte e banimit të qytetarëve e jo biznese, të cilëve u janë shpronësuar këto prona në kohën e ish-Jugosllavisë, në momentin kur është planifikuar një projekt i madh publik.

“Problemi qëndron se ata jetojnë aty që më shumë se 30 vjet dhe shpronësimi në ish-Jugosllavi është bërë pasi kanë planifikuar një projekt të madh publik. Por, pa filluar projekti nuk i kanë larguar banorët nga zona dhe nga shtëpitë, kështu që projektet kanë mbetur pa u bërë dhe shtëpitë u janë mbetur të shpronësuara. Po planifikojmë që t’ua japim për 99 vjet, por ende nuk dihet me siguri, ditëve në vijim do të ketë detaje”, ka thënë Kukaj.

Ai shtoi se janë në fazën e fundit të identifikimit të këtyre pronave, që mund të ketë edhe në lagje tjera, por me theks të veçantë në “Kodrën e Trimave”.

Ky vendim së pari duhet të shkojë në Asamblenë Komunale, ku Kukaj thotë se do të punojnë shumë për ta kaluar, ngaqë është zotim i ekzekutivit të komunës.

“Kjo çështje duhet të shkojë në Asamble Komunale. Besojmë që do të kalojë sepse do të punojmë shumë edhe në aspektin politik ngaqë është një nga zotimet tona që do ta përmbushim”, ka përfunduar Kukaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/prishtinasit-pritet-te-kene-ne-pronesi-prona-publike-per-99-vjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala