Prishtina vazhdon kryesimin

Autori:Gazeta Fjala

prishtina

Skuadra e Prishtinës e ka shënuar edhe fitoren e tretë rresht në po aq ndeshje të zhvilluara në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Në stadiumin ”Agron Rama” në Obiliq, prishtinasit e kanë mundur Hajvalinë me rezultat 3-0. Golat e fitores për kryesuesit e tabelës i kanë shënuar Labinot Osmani në minutën e parë, Liridon Leci  në minutën  e dhjetë dhe Ahmed Jonuzi në minutën e 62-të.

Drenica i ka ndarë pikët me Besën pas barazimit me rezultat 1-1. Osman Mëziu në debutimin e tij për Drenicën i kaloi vendasit në avantazh në minutën e 62-të, ndërsa golin e barazimit për Besën e ka shënuar Qemail Elshani në minutat e fundit të ndeshjes.

Në Ferizaj, ekipi e Gjilanit ka fituar me rezultat 2-1 kundër Ferizajit.  Muhabi Bushi i ka zhbllokuar shifrat, duke shënuar pas nëntë minutave lojë për Ferizajin. Mirëpo, fitoren gjilanasëve ua siguruan Isa Eminhaziri dhe Betim Haxhimusa.

Llapi me golin e vetëm nga Berat Hyseni në minutën e 62-të, ka fituar me shifrat minimale 1-0 në udhëtim tek skuadra e Dritës.

Liria ka arritur që të triumfoi në Mitrovicë kundër Trepçës, duke fituar me rezultat  4-1. Blendi Memaj, Visar Berisha, Liridon Fetahaj dhe Durim Gashi ishin golashënuesit e Lirisë, kurse golin e vetëm për Trepën, e ka shënuar Hasan Hyseni një minutë para përfundimit të takimit.

Pas tri xhirove të zhvilluara, Prishtina e kryeson tabelën me nëntë pikë. Ndërkaq, në pozitat dy dhe tre pozicionohen Besa dhe Drenica me nga shtatë pikë.

Ndërkohë, sot nga ora 15:00, në stadiumin ”Rexhep Rexhepi” në Drenas, takohen Feronikeli dhe Trepça ’89./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/prishtina-vazhdon-kryesimin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala