Premtohet kategorizimi i pagave për punëtorët shëndetësorë

Autori:Gazeta Fjala

shendte_1515598763-336331

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar sot me një delegacion nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), të kryesuar nga Blerim Syla, me të cilët ka biseduar për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e saj.

Sipas një njoftimi nga Zyra e kryeministrit në takim ishte prezent edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Kryeministri Haradinaj nga përfaqësuesit e FSSHK-së u njoftua me të arriturat e sektorit të shëndetësisë, por edhe për sfidat me të cilat përballet ky sektor, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e sindikatës e njoftuan Kryeministrin për shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, e njëri nga këto shqetësime ishte kategorizimi i pagave të mjekëve.

Kryeministri Haradinaj u zotua në angazhimin e Qeverisë për krijimin e bazës ligjore që ky kategorizim të aplikohet sa më parë edhe në sektorin shëndetësor, ashtu siç e kanë tashmë të rregulluar edhe vendet e rajonit.

“Zgjidhja e problemit të pagave për punëtorët shëndetësorë, është kategorizimi i tyre, përmes ligjit. Qeveria do të jetë e përkushtuar që këtë ligj ta procedojë sa më parë. Kategorizimi nënkupton edhe rritjen e pagave për mjekët”, tha kryeministri Haradinaj.

Sindikalistët shëndetësorë u dakorduan që bashkë me ekspertë nga Ministria e Administratës Publike, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave të finalizojnë punën për Ligjin e pagave, në mënyrë që kërkesat e tyre, të zbatohen sa më parë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/premtohet-kategorizimi-i-pagave-per-punetoret-shendetesore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala