Policia e pasigurtë

Autori:Gazeta Fjala

Policia e Kosoves

Policia e Kosovës, nëse sëmuren duhet vet ti paguajnë shpenzimet e mjekimit. As në raste edhe më të rënda të humbjes së jetës apo invalidimit të zyrtarëve policorë gjatë punës zyrtare, nuk është i rregulluar sigurimi jetësor.

Këto janë dy nga shqetësimet e mëdha që ka adresuar të martën Qendra Kosovare për Studime të Siguris “QKSS” në raportin e monitorimit gjashtëmujor të institucioneve të sigurisë në Kosovë, shkruan Gazeta Fjala.

“Ende nuk janë rregulluar dy çështje që ndërlidhen ngushtë me punën e personelit të Policisë Kosovës: (i) sigurimi shëndetësor dhe (ii) sigurimi jetësor në rast të humbjes së jetës apo invalidimit të zyrtarëve policorë gjatë punës zyrtare. As njërën e as tjetrën nuk e gëzojnë personeli policor”, thuhet në raport.

Plator Avdiu nga QKSS ka thënë se policia e Kosovës, vazhdon të përballet me telashe të mëdha.

“Ka ende raste ku në Policinë e Kosovës pozita të caktuara udhëhiqen nga ushtrues detyre ani pse ky numër vit pas viti është në rënie, gjithashtu në këtë institucion është vërejtur se nuk bëhet vlerësimi i perfmormances së punës së personelit të policisë” , thotë ai.

Sipas Avdiut çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë vazhdon të zvarritet nga Qeveria e Kosovës.Projektligji që rregullon këtë çështje ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe as nga Kuvendi i Kosovës.

QKSS ka gjetur se gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar 109 zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e 24 zyrtarëve policorë si të dyshuar për vepra penale.

“Megjithatë, ky institucion të jetë më aktiv sa i përket mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës”, thuhet në raport.

Skënder Perteshi, autor i raportit, deklaroi se hiq më mirë nuk i ka punët as Ministria e Forces së Sigurisë së Kosovës pasiqë kjo e fundit për vite me radhë po përballet me sfidat e prokurorimit publik dhe po qalon në vlerësimin e ofertave. Ndërkohë thotë se një numër i madh reformash të nisura nga ky institucion si reformimi i personelit dhe resurseve njerezore e rishikimi i struktures së FSK-së kanë mbetur në gjysmë si shkak i mos definimit të misionit të saj ende, pra transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës. /Lorik Maxhuni/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/policia-e-pasigurte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala