Pezullimi i Shengenit mund të ndikojë edhe në raportet Kosovë-BE

Autori:Zekirja Shabani

111vizat-shengen-665405-1-629412144

Një numër i shteteve të Bashkimit Evropian tashmë kanë vendosur shtimin e kontrollit në kufi, apo suspendimin e përkohshëm të Shengenit kjo për shkak të numrit të madh të refugjatëve.

E njohës të integrimit evropian në Kosovë, i japin vlerësime të ndryshme ndikimit të proceseve të Bashkimin e Evropian në Kosovë.

Lëvizja e lirë e qytetarëve në zonën Shengen, është një nga vlerat parimore të Bashkimit Evropian, mirëpo pezullimi i sa nga disa vende anëtare të BE-së po konsiderohet si vështirësi e projektit të BE-së.

Po sa mund të ndikojnë krizat në BE karshi proceseve në Kosovë?

Emrush Ujkani thotë se marrëveshja e Shengenit e vitit 1985 i jep të drejtën shteteve anëtare të vendosin kontroll në ato raste kur është e arsyeshme.

Sipas tij, kjo nuk mund të ndikojë në Kosovë.

“Nuk besoj se mund të ketë ndikim. Komisioni do ta jep atë që është mendim dhe vlerësim, në aspektin shumë profesional, pastaj do t’iu mbetet shteteve anëtare për të vendosur, por unë nuk besoj që këto masa të vendosura nga Austria në këtë rast dhe shtetet e tjera që kanë paralajmëruar mund të ndikojnë në një fare forme apo mund të kenë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovë”, ka thënë Ujkani.

Kurse Avni Mazreku, një tjetër njohës i çështjeve evropiane, mendon se të gjitha zhvillimet në BE që mund të ndikojnë në qëndrimin e shteteve anëtare sa i përket vendimeve politike mund të kenë efekt të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve, si në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Një vendim i tillë kërkohet nga ana e Këshillit të BE-së përkatësisht konfiguracionit të këshillit të ministrave të brendshëm. Ky sistem i votimit në Këshillin e BE ndodh gjithmonë sipas sistemit të shumicës së kualifikuar që kërkohet një kuotë përkatësisht një kualifikim i një shumice të caktuar. E nëse numri i shteteve që janë në favor eventualisht të marrjes së një vendimi pozitiv për liberalizimin vizave me Kosovën nuk është i mjaftueshëm, mund të ndikoj në mos marrjen e këtij vendimi. Prandaj tërheqja e shumë shteteve përkatësisht pezullimi i marrëveshjes Shengen mund të ketë efekte të drejtpërdrejta në marrjen e këtij vendimi eventual për Kosovën”.

Mazreku po ashtu pret rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për Liberalizim të vizave, pasi deri më tani institucionet e Kosovës kanë pasur vetëm qasje deklarative për plotësimin e kritereve, përderisa në kohët e fundit është vërejtur një ndryshim, pra ka pasur përmbushje të kritereve teknike në këtë drejtim. /rtk/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/pezullimi-i-shengenit-mund-te-ndikoje-edhe-ne-raportet-kosove-be/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala