Për t’ua marrë votat, Agim Bahtiri i lejon prerësit ilegalë të bëjnë kërdi në pyjet e Mitrovicës (Dokument)

Autori:Gazeta Fjala

agim-bahtiri

Për të marrë ndonjë votë më shumë, Agim Bahtiri pa fije përgjegjësie po i inkurajon prerësit ilegalë që t’i rrafshojnë malet e Mitrovicës.

Ata po bëjnë “kërdi” duke prerë ilegalisht, kurse Bahtiri po i pengon edhe organet e sigurisë dhe inspektoratin pyjor që t’i ndalojnë dhe t’ua sekuestrojnë masën drusore.

Edhe pse me ligj mbrojtja e pyjeve është kompetencë e komunave të Kosovës, Komuna e Mitrovicës për shkak të zgjedhjeve po e bën krejtësisht të kundërtën.

Ditë më parë, sipas një raporti të siguruar nga Gazeta Fjala, Agim Bahtiri është denoncuar edhe zyrtarisht se e ka penguar Inspektoratin Pyjor, i cili po asistohej edhe nga Policia e Kosovës, që t’ua sekuestrojë masën drusore në 21 kamionë dhe traktorë prerësve ilegalë në Mitrovicë.

Për pengim në detyrën zyrtare, Inspektorati Pyjor e ka bërë edhe një Kallëzim Penal kundër Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Bazuar në raportin e siguruar, vlera e dëmit të shkaktuar me masën drusore të prerë ilegalisht, për të cilën Bahtiri ka penguar organet përgjegjëse që ta sekuestrojnë në Mitrovicë, ishte 9,522 euro.

Megjithatë, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me këtë veprim ka kryer edhe vepër penale. Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Kapitulli XXXIII, Neni 409, ku edhe është mbështetur ky Kallëzim Penal, Bahtiri mund të dënohet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo edhe për keqpërdorim të pozitës dhe të autoritetit të tij zyrtar si kryetar komune.

Vepra penale tjetër me të cilën është kërkuar të ngarkohet Bahtiri, duke rezistuar dhe penguar Inspektoratin Pyjor dhe Policinë e Kosovës, është edhe thirrja për rezistencë, e cila bie ndesh me nenin 411 të Kodit Penal të Kosovës, Kapitullin XXXIII.

Me këtë Kallëzim Penal kërkohet nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë që të ngreh aktakuzë dhe ta dënojë Agim Bahtirin sipas Kodit Penal, Ligjit mbi Pyjet e Kosovës nr. 2003/03, Ligjit nr. 03/L-153 për Ndryshime dhe Plotësime të Ligjit nr. 2003/03 për Pyjet e Kosovës, si dhe ta obligojë atë që të kompensojë dëmin e shkaktuar pyjor në vlerë prej 9,522 euro. /Gazeta Fjala/.

23602026_10155883502616670_1395182959_n 23627260_10155883502656670_1582634684_o

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/per-tua-marre-votat-agim-bahtiri-i-lejon-preresit-ilegale-te-bejne-kerdi-ne-pyjet-e-mitrovices-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala