Për tri vjet KEK-u investoi 1 milion euro për komunitetin

Autori:Gazeta Fjala

kek-8164_1537541716-8768857

Korporata Energjetike e Kosovës, për tre vite ka investuar 1 milion euro për komunitetin.

Ndërsa, veç në vitin 2019 vlera e investimeve nga kjo korporatë ka arritur në shumën mbi 110 mijë euro, shkruan gazeta inFokus.

Ndërsa, një nga lokalicionet që ka përfituar nga investimet e KEK-ut është edhe fshati Dardhishtë i Obiliqit.

E falë këtyre investimeve, banorët e këtij fshati tashmë nuk e kanë problem pluhurin e grobat e mbushura me ujë.

“KEK-u e ka rikultivuar, e ka mbjell, ka mbush gropat me dhe, e ka mbuluar hirin me dhe, dhe tash është bërë ambienti qind për qind më i mirë se që ka qenë më përpara. Këtu janë rrezikuar fëmijët të mbyten në gropat e ujit. Por, tash është mirë nuk është keq. Është bërë stadiumi. Falënderojmë KEK-un dhe të gjithë ata që kanë marrë iniciativë për ta ndërtuar. Tash është mirë. Këtë vit janë mbjellë 4000 fidanë, pisha, drunj etj. Shpresojmë se brenda mundësive do mbjellin prape. Mbjellja ka ndikuar shumë, pasi më nuk ka pluhur dhe ajri e ambienti është bërë i pastër”, deklaroi Daut Gashi, banor i Dardhishtës.

Por, veç kësaj, KEK ka ndërtuar edhe fusha të sportit, shkruan gazeta inFokus.

“Ne e falënderojmë KEK-un për këtë fushë që e ka ndërtuar. Është shumë e mirëpritur nga ana jonë. Ndikimi për rininë i fushës që është ndërtuar në këtë kohë, është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh se kjo fushë ka një rol edukativ për rininë. D.m.th e gjithë rinia, mirëpo edhe moshat tjera munden të vijnë këtu dhe të luajnë gjatë kohës së lirë dhe t’i shmangen rrugëve tjera që nuk janë edukative, arsimore për rininë e këtij vendi. Në të ardhmen kemi menduar të mbajmë turnirë duke filluar nga futbolli, basketbolli, volejbolli, sepse kjo fushë i plotëson këto tri nevoja për të zhvilluar lojë”, deklaroi arsimtari Driton Gashi.

Banorët e Obiliqit kanë përfituar edhe nga dy parqe multi-funksionale, thuhet në një komunikatë të KEK-ut.

E këtu janë vendosur edhe pajisje që shërbejnë për të gjitha moshat, derisa banorët që jetojnë në afërsi të parkut thonë që kanë pasur përfitim të madh nga ndërtimi i fushës ku më parë ishte deponi bërlloku, shkruan gazeta inFokus.

“Ky projekt ka qenë shumë me rëndësi për lagjen tonë për shkak se ky vend përpara ka qenë më shumë si deponi e mbeturinave, ku njerëzit kanë hedhur bërllok dhe gjëra tjera, po ashtu kanë qëndruar edhe qentë endacak që kanë qenë rrezik për fëmijët e lagjes tonë, ndërsa tash ky projekt është realizuar dhe është bërë mirë shumë mirë për rininë dhe për pleqtë gjithashtu, sepse e kanë pjesën për të qëndruar dhe pushuar, ndërsa ne të rinjtë kemi pjesën për aktivitet fizike ku mund të luajmë ping pong, shah, tenis dhe të gjitha sportet t’i zhvillojmë në një vend”, tha Rinor Selmani.

Ndërsa, Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut ka thënë që përmirësimi i jetës së qytetarëve është një nga objektivat kryesore të korporatës, shkruan gazeta inFokus.

“Këtë vit Korporata Energjetike e Kosovës ka realizuar dy parqe dhe një fushë të sportit. Fushën e sportit në Dardhishtë siç e patë, parkun këtu në qendër të qytetit dhe është parku i Obiliqit. Të gjitha këto projekte kapin vlerën prej rreth 110 mijë euro, ndërsa në tri vitet e fundit Korporata Energjetike e Kosovës vetëm në realizimin e projekteve për komunitetin ka shpenzuar një shumë prej rreth 1 milion euro. Korporata Energjetike e Kosovës do të vazhdoj me projekte të tilla për komunitetin çdo vit edhe këtë vit kemi ndarë buxhetin për këtë fushë”, deklaroi Bucolli, i cili shtoi se pos parqeve dhe fushave të sportit, KEK-u ka investuar edhe në asfaltimin e disa rrugëve në fshatin Hade dhe në ndriçimin e tri rrugëve që lidhin Obiliqin me fshatrat për rreth”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/per-tri-vjet-kek-u-investoi-1-milion-euro-per-komunitetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala